Digjitalizimi si interes i lartë për publikun

Nga Arben Muka

Në opinionin publik procesi i kalimit të transmetimeve televizive nga analogu në numerik, ose siç thirret procesi i digjitalizimit, ka marrë vëmendjen maksimale ditët e fundit. Është një ndryshim radikal në tregun audioviziv, një proces revolucionar teknik e teknologjik që përmirëson sinjalin e emetimit të përmbajtjeve, që krijon hapësirë të shumëfishuar për përdorim frekuencash, dmth zgjeron numrin e kanaleve programore, por dhe ndryshon radikalisht qasjen e publikut për tek konsumi mediatik i ekranit. Digjitalizimi është një akord mes vendeve të kontinetit tonë, është aplikim i një vendimarrje të hershme për rregulla të reja në përdorimin e brezave frekuencorë, ku secili shtet ka të përcaktuar “sinorët” e vet për transmetimet audiovizive.

Për këtë angazhim global të nisur prej rreth 12 viteve, me rëndësi jetike për informimin, edukimin dhe argëtimin e publikut përmes shërbimeve televizive, Shqipëria zyrtarizoi një plan veprimi, përfshirë në Strategjinë Kombëtare të Digjitalizimit, miratuar nga Këshilli i Ministrave që në vitin 2012 dhe “vulën” e vuri Kuvendi i Shqipërisë përmes ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Afati ligjor dhe zyrtar për fikjen e transmetimeve analoge u vendos 17 qershori 2015, përmbyllje që ishte në rezonancë dhe me çka do të ndodhte me vendet e tjera evropiane.

Por deri sa planet në letra filluan të bëhen fakt, derisa sa “mrokullat” analoge të zëvendësohen totalisht me sistemet e emetimit inteligjent, procesi nisi nga zvarritjet, duke  u lënë “në cep” të agjendave për institucionet dhe agjencitë publike përgjegjëse në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jodrejtpërdrejtë. Jo një muaj e dy, por për rreth tre vite thuajse gjërat mbetën në vendnumëro. Në një kohë që gjithçka duhej finalizuar në mes të qershorit 2015, pikërisht atëherë nisi puna seriozisht për zbatimin. Mungesa e kuorumit për venmdimarrje në Transmetuesin Publik, në Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, gjurullditë e zakonshme në skenën politike që mpiksën rolin dhe angazhimin e rendësishëm të Komisionit Parlamentar të Medias, puna me “çerek motori” e një ekipi ndërinstitucional – këto dhe të tjera ishin sfondi që “justifikonin” mungesën, por dhe zeruan presionin e domosdoshëm të ndërkombëtarëve, të cilët paradoksalisht nuk kishin se kujt t’i ankoheshin për vonesat.

Plotësimi nga Kuvendi i vendeve vakante në AMA, në fund të vitit 2014, riktheu vendimarrjen dhe normalitetin tek institucioni i vetëm që ligjet aktuale i kanë besuar rolin rregullator, por dhe që është një ndër aktorët e rëndësishëm në aktin e kalimeve nga analogu në numerik. Procesi i ndarjes së 7 frekuencave numerike nga AMA (5 për subjektet private të interesuara dhe 2 për RTSH-në) nuk mjaftonte për të avancuar shpejtë dhe sigurtë me digjitalizimin.

Tregu audioviziv me dy shtyllat kryesore, publiken dhe privaten, nuk mund të sendërtonte asnjë proces digjtalizues pa një RTSH gati. Ndaj u prit derisa përfundoi dhe maratona e lodhshme e zgjedhjes së menaxhmentit të ri të këtij institucioni. Kjo hapi rrugë për ndërtimin e dy platformave numerike, njëra për kanalet e vetë RTSH-së dhe tjetra për të bartur subjektet lokale dhe rajonale.

Çështja nuk ishte thjesht teknike dhe teknologjike. Por kërkonte dhe mundim e negocim për tejkalimin e aspekteve ekonomike. Duhej përllogaritur dhe se sa ishte kosto e bartjes në platformën e RTSH-së për operatorët lokalë dhe rajonalë. “Antenat” e këtyre të fundit u drejtuan me të drejtë vetëm tek ky tregues. Nga shifra stratosferike e fillimit, që ishte 5760 euro për muaj, falë këmbënguljes së AMA në negociatat e drejtpërdrejta me RTSH-në, si dhe në forumet që u zhvilluan me prezencën e operatorëve të interesuar, shifra arriti të reduktohej në 2150 euro në muaj. Plus kësaj, për të bërë të mundur përfshrirjen  e çdo operatori ekzistues analog në procesin e kalimit në numerik, për vitin e parë të bartjes në platformat digjitale, u arrit tek një mbështetje në formën e rimbursimit nga shteti: përdorimin e fondit të të ardhurave që sigurohen nga shfrytëzimi i brezit të Dividendit Digjital në teknologjinë mobile.

Digjitalizimi lidhej gjithashtu dhe me meny-në programore, me ndërtimin e buketës me 12 programe të vetë RTSH-së, duke i qëndruar rigorozisht  kërkesave të Kontratës së Shërbimit të këtij institucioni, miratuar nga AMA. Qytetarët pavarësisht kuptimeve të limituara mbi ndryshimet teknike e teknologjike të këtij procesi, (e natyrshme kjo në kushte të tilla), mbeten me një pritmëri të lartë për cilësinë dhe larminë e katalogut programor.

Pajisja e qytetarëve me dekoder ka qenë një tjetër aspekt, ku bazuar në vendimet e bordit të AMA-s, si dhe të Këshillit të Ministrave, kjo pajisje duhej të ishte unike në të gjithë tregun, dmth, kudo të shpërndahej një tip, DVB-T2, që lejonte përdorim për të gjitha platformat numerike të licencuara. Autoritetet Doganore kanë pasur dhe kanë përgjegjësinë ligjore për të lejuar hyrjen në tregun shqiptar vetëm të tipit të dekoderave për teknologjinë DVB-T2, që shpërndahen për popullatën përmes të paktën 8  kompanive tregtare të mëdha dhe një rrjeti njësish të vogla në të gjithë vendin.

Për personat që mbështeten nga skemat e ndihmës ekonomike dekoderi është shpërndarë falas. Rreth 88 mijë dekodera, të cilët u shpërndanë tek popullata për ata që trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti, garantojnë se kjo shtresë me nevoja të theksuara social ekonomike mori si mbështetje aksesin për të vijuar ndjekjen e programeve të dy platformave numerike të Transmetuesit Publik, në plotësim të së drejtës bazike për informim.

Nevoja e pajisjes së qytetarëve me dekoder, si dhe familjarizimi i tyre me transmetimin digjital, por dhe orientimi i operatorëve lokalë e rajonalë në procesin e bartjes së tyre në platformat numerike – ishin në qendër të fushatës ndërgjegjësuese e informuese që zhvilloi prej rreth dy viteve AMA. Duke qenë se procesi i digjitalizimit do të bëhej me hapa, duke testuar një pas një qarqe të ndryshme, mesazhet nëpërmjet emisioneve dhe kronikave televizive, spoteve dhe njoftimeve me tekst dhe të animuara, u fokusuan me prioritet në komunitetin ku kryhej kalimi nga analogu në numerik.

Realizimi me sukses i digjitalizimit në qarkun e Beratit vitin e kaluar, por dhe në Korçë e Fier këtë vit, përballimi në kohë dhe me efektivitet i problematikave të izoluara në të tre këto njësi administrative, janë tregues konkretë se paketa e masave dhe fushata ndërgjegjësuese e informuese ishin realizuar më së miri. Zbatimi i procesit të digjitalizimit në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, ku ka një përqëndrim më të madh të popullatës dhe të operatorëve televizivë evidentoi një avari, që bëri të detyrueshme shtyrjen e kohës së fikjes së sinjalit analog me 4 muaj. Gatishmëria e lavdërueshme e të gjithë operatorëve lokalë dhe rajonalë për të ikur përgithmonë më datën 10 shtator 2018 nga frekuencat historike analoge nuk mjaftoi për ta finalizuar procesin.

Monitorimi i situatës në terren nxorri në pah se një pjesë e popullatës nuk kishte siguruar ende  dekoderin, për më tepër rradhët e gjata dhe grumbullimet në pikat e tregtimit nuk premtonin numër të mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat në një kohë të shkurtër.

Një situatë vërtet e pafavorshme për qytetarët, por që stimuloi andej këtej hamendësime dhe “tablo sinoptike”, pa fakte e shifra konkrete të shpjegimit të situatës, që provokoi vende vende në hapësirën mediatike klasike dhe atë të re, deri dhe derdhje lotësh, që trimëroi dhe tipa të flashkët, të cilët gjetën rastin të bëjnë “hypxhixhi”-n nga ky kombinim rrethanor.

Por lotderdhësit dhe “hypxhixhi”-stët nuk para merren seriozisht. Me rëndësi mbetet thelbi i kritikave dhe sugjerimeve me sens gjatë këtyre ditëve reflektive, të cilat kërkojnë zgjidhje dhe vëmendje të shtuar deri në mes të muajit janar 2019.

Katër muaj kohë janë shumë, por dhe pak, për ta përmbyllur objektivin e digjitalizimit në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Përgjegjësitë e çdo institucioni dhe agjencie përgjegjëse do të japin efekt pozitiv nëse kordinohen mes tyre dhe nëse vendosin mbi çdo gjë interesin e lartë të publikut, garantimin e të drejtës për informim edhe në kushtet e përdorimit të teknologjisë së avancuar audiovizive.

www.arbenmuka.wordpress.com

SHKARKO APP