“Efekti Amazon”, vetëm një kompani i bën ballë – Ja si e dominon Netflix industrinë e online streaming

Kompanitë që vendosen në shënjestrën e Amazon shndërrohen menjëherë në të papëlqyeshme për investitorët.

Gjigandi i tregtisë online nuk ka nevojë për të krijuar një biznes të ri apo për të blerë një kompani në mënyrë që të ndihet reagimi i tregjeve. Mjafton që kompania të nxjerrë një deklaratë ku shprehet se synon të vendoset në një fushë, si shëndetësia, pasuritë e paluajtshme, apo fruta-perimet. Kjo bën që kompanitë që janë liderët në atë industri të marrin një goditje të bursa dhe fenomeni është quajtur “Efekti Amazon”.

Megjithatë ka një industri të madhe ku Amazon nuk ka mundur të dobësojë kompaninë lider. Në fushën e streamingut online, Netflix ende bën ligjin. Madje aksionet e kompanisë nuk janë lëkundur fare.

Vlera e aksioneve të gjigandit të medias janë dyfishuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 dhe në tre vite janë rritur me 390%. Analistët mendojnë se ende ka vend për rritje dhe se Netflix mund të dominojë në të gjitha tregjet e industrisë së transmetimit të përmbajtjeve video online.

Por cilat janë arsyet që Netflix ka mundur t’i bëjë ballë konkurrencës nga Amazon?

Së pari Netflix është e gatshme të shpenzojë më tepër se Amazon. Edhe pse kompania e Jeff Bezos shpenzoi 250 milionë dollarë për të blerë të drejtat televizive të Lord of the Rings, për të krijuar një serial që kushton 100 milionë dollarë në vit, ende Netflix shpenzon më tepër. Nëse buxheti i Amazon për programe jo sportive në vitin 2018 është 5 miliardë dollarë, buxheti i Netflix është 8 miliardë dollarë.

Së dyti, Netflix fokusohet në përmbajtje cilësore. Me prodhimin e serialeve dhe filmave që janë pritur mirë nga publiku, lideri i industrisë ka arritur të fitojë vlerësimin e klientëve dhe planifikon që programet e saj të zënë mbi 50% të videove në platformë. Serialet si “Stranger Things”, “House of Cards” apo “Orange is the New Black” kanë rritur bazën e të abonuarve.

Amazon synon ta arrijë numrin e abonentëve të Netflix, por ka shumë rrugë për të bërë dhe ka bërë disa gabime gjatë rrugës për të siguruar talentet e duhura për Amazon Studios. Vetë shikuesit shprehen se Netflix ka programet më të mira.

Së treti, diferenca kryesore mes kompanive, e cila lejon Netflix të qëndrojë në krye është modeli i biznesit. I tërë fokusi i Netflix është shpërndarja e përmbajtjeve, ndërsa për Amazon, shërbimi Prime ofron disa gjëra njëkohësisht. Kompania e Bezos inkurajon klientët të abonohen në shërbimin Prime, duke ofruar dërgesa falas brenda dy ditëve për mallrat që blihen tek Amazon. Shërbimi video i Prime shërben vetëm për të tërhequr disa klientë të rinj dhe të mbajë të vjetrit, por nuk është arsyeja kryesore për abonimin. Netflix e di këtë gjë dhe po përfiton nga ky fakt.

SHKARKO APP