Elon Musk projekton fabrikën më të fuqishme të çipave në botë, 50 herë më e madhe se Pentagoni
Elon Musk ka njoftuar “Terafab”, një fabrikë çipash në Teksas që do të ndërtohet së bashku nga Tesla dhe SpaceX. Impianti do të prodhojë gjysmëpërçues për inteligjencën artificiale dhe robotikën, shkruan il messaggero.it.
Musk deklaroi se “Terafab Texas” do të bëhet, me një diferencë të madhe, ndërtesa me vlerën më të lartë në botë.
Tesla dhe SpaceX parashikojnë të investojnë 16.8 miliardë dollarë për të nisur ndërtimin. Sipas dokumenteve të paraqitura pranë autoriteteve rregullatore dhe të bëra publike këtë javë, shpenzimi total mund të arrijë deri në 119 miliardë dollarë, të shpërndara në disa faza.
‘Terafab Texas” synon të bëhet ndërtesa më e vlefshme në botë
Musk e bëri këtë deklaratë në një postim në X, ku gjithashtu vlerësoi projektimin e parashikuar për fabrikën.
Sipas vlerësimeve të analistëve, struktura mund të gjenerojë çdo vit më shumë se një trilion njësi kapaciteti përpunues për inteligjencën artificiale.
Në fabrikë do të përdoret teknologjia e çipave 2 nanometra, një nga teknologjitë më të avancuara që ekzistojnë sot.
Përdoruesit e rrjeteve sociale nisën menjëherë të krahasonin përmasat e “Terafab” me disa prej strukturave më të mëdha në planet.
Imazhe të vendosura krah për krah e tregonin fabrikën përballë Gigafactory-t të Tesla-s në Austin, ndërtesave qeveritare, kampuseve të kompanive dhe qendrave tregtare të ndërtuara për të pritur miliona vizitorë çdo vit.
Një prej këtyre krahasimeve mblodhi miliona shikime brenda vetëm një dite.
Fabrika e çipave “Terafab” do të zërë më shumë se 9 milionë metra katrorë. Musk ka deklaruar gjithashtu, në një rast tjetër, se kompleksi, pasi të përfundojë, do të jetë rreth 50 herë më i madh se Pentagoni, selia e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.
Këto krahasime kanë ardhur në një kohë kur janë shtuar spekulimet për një bashkim të mundshëm mes Tesla-s dhe SpaceX.
Dy kompanitë po ndajnë gjithnjë e më shumë infrastrukturë, drejtues dhe kapital.
Ndërkohë, zërat për shitjen e Gigafactory-t të Tesla-s në Shangai, të cilat Musk i mohoi javën e kaluar, tregojnë se sa nga afër investitorët po ndjekin zhvillimet në perandorinë e tij industriale. /os/
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

