Facebook rrezikon një tjetër skandal
Pas skandalit me kompaninë britanike Cambridge Analytica, Facebook rrezikon të përfshihet në një tjetër aferë. Rrjeti më i madh social në botë pezulloi bashkëpunimin me një firmë amerikane, pasi dyshon se ajo ka mbledhur dhe përdorur të dhënat e përdoruesve.
Crimson Hexagon, kompani me seli në Boston në Shtetet e Bashkuara, ofron informacion rreth konsumatorëve dhe rezulton se ka lidhur kontrata me agjenci qeveritare në të gjithë botën.
Por nisur nga ndjeshmëria e lartë që shkaktoi skandali me grabitjen e të dhënave të mbi 87 milionë përdoruesve, që u përdorën në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, Facebook nisi një proces hetimor për të zbuluar nëse këto kontratat qeveritare të firmës amerikane janë bërë në shkelje të politikave mbi privacinë, të gjigantit të rrjeteve sociale.
Ende nuk janë gjetur prova për keqpërdorim të dhënash apo për marrjen e tyre në mënyrë të parregullt. Sipas Wall Street Journal, kontratat e Crimson Hexagon përfshijnë analizimin e të dhënave publike të Facebook për klientë të ndryshëm, përfshirë edhe një OJF ruse me lidhje me Kremlinin dhe disa agjenci shtetërore amerikane.