Firmat britanike përgatiten të prodhojnë vaksinën kundër koronavirusit
Një prodhues britanik që pritet të marrë përsipër prodhimin e vaksinës që po zhvillojnë shkencëtarët britanikë kundër koronavirusit thotë se brenda muajit maj shpreson të konfirmojë nëse mund të prodhojë një milion doza vaksine në muaj.
Ideja është që të krijohen rezerva të mjaftueshme të vaksinës që të jenë gati për përdorim sapo të jepet miratimi nga autoritetet.
Cobra Biologics është një ndër firmat që mund të marrin autorizimin për të prodhuar vaksinën ChAdOx1 nCoV-19 që po zhvillojnë shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Peter Coleman tha se firma nuk merr përsipër efektshmërinë e vaksinës, pasi është në dorë të ekipit shkencor të Oksfordit të kryejë provat për të vërtetuar se vaksina funksionon.
Por ai tha se në mes të majit do të bëhen prova me 200 litra prodhim. Nëse provat dalin me sukses, kompania do të jetë gati të prodhojë 1 milionë doza vaksine në muaj.
“Këto doza mjaftojnë për provat klinike, por ndoshta edhe si fillim i mirë për rezervat që nevojiten për aplikim komercial”.
“Po operojmë me ritme shumë më të shpejta se sa zakonisht. Fakti që mund të fillojmë të krijojmë rezerva të vaksinës para se të jetë përmbyllur faza e parë (provat klinike) është shumë e pazakontë,” tha zoti Coleman për agjencinë e lajmeve Reuters.
Cobra Biologics nuk është e vetmja prodhuese. Një numër laboratoresh dhe prodhuesish farmaceutikë janë angazhuar për të mbështetur përpjekjet e shkencëtarëve britanikë për një vaksinë kundër koronavirusit.
Megjithë përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit të vaksinës, Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se është jorealiste të pritet një vaksinë para fundit të vitit 2020.
“Më lejoni të flas qartë për këtë temë – testet dhe vaksinat janë shumë të rëndësishme dhe po bëjmë të pamundurën për t’i realizuar. Por nuk do të ishte realiste të pritet një vaksinë në veprim para fundit të vitit. Prandaj testimi, identifikimi dhe gjurmimi i kontakteve të personave të infektuar janë masat më të mira që kemi në këtë kohë,” tha zoti Raab.
Puna për vaksinë vazhdon në një numër laboratoresh në botë. Në përgjigje të përmasave të krizës aktuale, autoritetet në një numër vendesh kanë eliminuar disa pengesa burokratike për zhvillimin e vaksinës, megjithatë protokolli mjekësor kërkon që provat të zhvillohen në faza disa mujore, gjë që e zgjat procesin.