Gazeta më e madhe në Brazil tërhiqet nga “Facebook”-u: Po u lë më shumë hapësirë lajmeve të rreme
Gazeta më e madhe e Brazilit, Folha de S. Paulo nuk do të publikojë më lajme në faqen e saj në “Facebook”, duke akuzuar kështu rrjetin social se po nxit lajmet e rreme përmes ndryshimeve të fundit në algoritmet e tij.
Në fund të muajit të shkuar, themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, tha se ndryshimi i ri në algoritmet e rrjetit do t’u japë prioritet “ndërveprimeve sociale më me rëndësi” dhe postimeve personale para postimeve të bizneseve dhe mediave.
Botuesi i “Folha”-s, Sérgio Dávila, thotë se kjo lëvizje thjesht mundësoi përhapjen e dezinformimit publik.
“Me ndalimin e gazetarisë profesionale në faqet e tij në favor të portimeve personale dhe lënies së hapësirës për “lajmet e rreme”, “Facebook është bërë një terren jo mikpritës për ata që ofrojnë materiale cilësore si ne”, tha Davila.
Ai theksoi se vendimi i gazetës reflekton “rëndësinë në rënie që ka Facebook-u për lexuesit tanë”.
Folha tha se të dhënat e mbledhura tregojnë se shpërndarjet, komentet dhe pëlqimet në “Facebook” për 10 gazetat më të mëdha në Brazil kanë rënë me 32% në 12 muajt e fundit, që nga janari 2017.
Sipas tij, nga tetori në janar, në bazë të një vëzhgimi të kryer, Facebook ka ndërvpruar me 21 faqe që publikojnë lajme të rreme dhe 51 të tjera që bëjnë gazetari cilësore.
Shifrat tregojnë se lajmet e rreme në Facebook janë trefishuar, ndërsa ndërveprimi me faqet profesionale ka rënë me 17%.
Gazeta ka bërë të ditur se do ta mbajë të hapur profilin e saj në rrjetin social (me 6 milionë ndjekës), por nuk do të postojë lajme në të.
Shqetësimet për lajmet e rreme po shtohen në Brazil, ku në tetor pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin.
Pak ditë më parë, qeveria tha se po krijonte një grup pune të përbërë nga zyrtarë të policisë federale, zyrtarë të gjykatave zgjedhore dhe prokurorë, për të luftuar lajmet e rreme.
“Folha” është gazeta më e madhe në Brazil, me 285 000 kopje të printuara dhe 204 milionë klikime në muaj.
Por tashmë më pak lexues do të kenë akses në faqen e saj përmes “Facebook”-ut.
Aksesi përmes “Facebook”-ut në mediat online ka rënë dukshëm javët e fundit në Brazil.
Në fund të janarit, ndërsa ish-presidenti Luiz Inacio da Silva apeloi një vendim që e dënon për korrupsion dhe pastrim parash, audienca online e gazetës u rrit dukshëm.
Brazili është i treti në listën e tregjeve më të mëdha të “Facebook”-ut në botë, me 130 milionë përdorues.
TemA TV