Google gjen zgjidhje, prezanton “fondin e ndihmës për gazetari”

Kompania Google ka njoftuar të mërkurën se do të ndajë një fond emergjent për t’iu ndihmuar mediave lokale për të vazhduar punën e tyre në kohën e pandemisë me koronavirus. Gjiganti i internetit nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë fond, mirëpo ka thënë se do të ofrojë grante nga “disa mijëra dollarë” deri në “dhjetëra mijëra dollarë për mediumet më të mëdha”.

Ky hap vjen pasi sektori medial është duke u përballur me pengesa të thella si pasojë e izolimit kombëtar, mbylljes së ekonomive dhe njëkohësisht mungesës së reklamave. “Lajmet lokale janë burim vital i mbajtjes së njerëzve dhe komunitetit të lidhur”, ka thënë nën-presidenti i Google News, Richard Gingras.

“Sot, ato luajnë rol edhe më të madh në raportim për izolimin dhe strehimin nëpër shkolla, për mbylljen e parqeve dhe rreth të dhënave se si po ndikon koronavirusi në përditshmëri”. “Në fund të procesit ne do të njoftojmë kush ka pranuar fonde dhe si janë shfrytëzuar ato”, ka thënë ai.

E përditshmja, The New York Times ka vlerësuar se shtëpitë mediale kanë mbyllur 28,000 vende të punës për shkak të krizës shëndetësore dhe ndikimit që ka pasur ajo në ekonomi. Edhe gjiganti tjetër Facebook ka njoftuar për 30 mars se do të dhurojë 100 milionë dollarë për të mbështetur organizatat mediale që janë dëmtuar nga pandemia me koronavirus./REL

SHKARKO APP