“Google” premton mospërdorimin e inteligjencës artificiale për armët
“Google” u angazhua që punimet përsa i përket inteligjencës artificiale të mos shërbejnë për prodhimin e armëve apo ndonjë mjeti tjetër që mund të shkaktojnë dëmtime, pas zërave të brendshëm për një bashkëpunim të grupit me Pentagonin.
“Ne jemi të vetëdijshëm se një teknologji kaq e fuqishme ngre gjithashtu shumë pikëpyetje përsa i përket përdorimit të saj”, shkruan në blog kreu i grupit, Sundar Pichai duke përmendur një sërë parimesh etike mbi përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Google” ka premtuar gjithashtu, mes të tjerash, se nuk do të ndihmonte misionet e mbikëqyrjes në sajë të mjeteve të inteligjencës artificiale, shkruan atsh.
Pichai, nga ana tjetër, u kujdes të nënvizojë se grupi nuk ka hequr dorë nga puna me ushtrinë në shumë fusha të tjera, si siguria kibernetike, rekrutimi apo për misionet e shpëtimit.
“Google” është përballur që prej disa javësh me një reagim të mijëra punonjësve, të irrituar për vendimin e grupit për të punuar me Pentagonin për të ndihmuar dronët të dallojnë më mirë objektet nga njerëzit në sajë të inteligjencës artificiale.
Sipas medias amerikane, grupi vendosi të premten e kaluar të mos rinovonte këtë kontratë me Ministrinë amerikane të Mbrojtjes, pas përfundimit në vitin 2019.