Hakerët sulmojnë aplikacionin WhatsApp

Hakerët instaluan nga distanca një softuer të mbikëqyrjes në telefona dhe pajisje të tjera që përdornin aplikacionin e mesazheve WhatsApp.

WhatsApp, i cili është në pronësi të rrjetit social Facebook, tha se sulmi ka shënjestruar një “numër të zgjedhur” të përdoruesve dhe se është orkestruar nga “një aktor i avancuar kibernetik”.

Sipas një raporti në gazetën Financial Times, sulmi u zhvillua nga firma izraelite e sigurisë NSO Group.

Të hënën, WhatsApp u bëri thirrje 1.5 miliard përdoruesve të tij që t’i përditësojnë aplikacionet si masë paraprake.

Sulmi u zbulua për herë të parë në fillim të këtij muaji.

“Sulmi i ka të gjitha shenjat dalluese të një kompanie private, që thuhet se punon me qeveritë”, tha kompania WhatsApp.

Grupi NSO është një kompani izraelite që është përmendur në të kaluarën si një “tregtar i armëve kibernetike”.

Ky grup tha përmes një deklarate se “teknologjia e NSO-së është e licencuar për agjencitë qeveritare, për qëllimin e vetëm të luftimit të krimit dhe terrorit”.

SHKARKO APP