“High Tech Show”, panairi i risisë së shërbimeve publike të dixhitalizuara dhe informatizuara
Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, në kuadër të Javës së Inovacionit 2015, organizon në bashkëpunim me Tirana Expo Centre dhe me mbeshtetjen e partnerëve strategjike, UNDP, Vizion Plus dhe Societe Generale Albania, Panairin “High Tech Show”. Është hera e parë që një panair i këtij lloji me produkte dhe shërbime inovative në fushën e komunikimin dhe Teknologjisë së Informacionit zhvillohet në vendin tonë.
Në panair marrin pjesë 64 kompani private, institucione shtetërore si dhe universitete të fushës teknologjisë së Informacionit.
Në Panairin “High Tech Show” për herë të parë do të prezantohen një sërë shërbimesh publike të dixhitalizuara dhe informatizuara që e bëjnë më efiçente punën e strukturave dhe agjensive shtetërore si dhe rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe transparencën ndaj qytetarëve. Kështu do të ekspozojnë shërbimet e tyre të digjitalizuara Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave, Qendra e Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), etj.
Risia e dytë dhe po aq e rëndësishme e këtij panairi është se në të janë prezantuar edhe një numër i madh Universitetesh të ndryshme të fushës së komunikimit dhe teknologjisë së Informacionit. Gjithashtu, në këtë panair do të prezantojnë produkte dhe shërbime inovative disa start-up nga Prishtina falë mbështetjes së Innovation Centre Kosovo (ICK).
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito në ceremoninë e zhvilluar në çelje të panairit ka theksuar: “Në këto 18 muaj, inovacioni ka qenë një ndër kryefjalët e përpjekjes sonë për modernizimin e shtetit në radhë të parë, si një mjet për të rritur efikasitetin në punë të gjithë administratës, duke futur sistemet e dixhitalizuara për të lehtësuar proceset e punës, për të kontrolluar dhe monitoruar rezultatet dhe për të luftuar sigurisht korrupsionin, që mbetet një gangrenë e shoqërisë sonë, por edhe në përgjithësi e shoqërive në zhvillim”.
Panairi “High Tech Show” do të jetë i hapur për publikun nga data 11 deri më 13 maj.