Interneti në shtëpi, luks – Të fundit në Europë, por të dytët në rajon për aksesin në celular
Shqipëria është vendi i dytë në rajon sa i përket abonimeve të internetit në aparatët celularë, por çuditërisht, e fundit në rajon sa i përket përdorimit të internetit nga popullsia. Por, ajo që duket edhe më alarmante, është shifra e lidhjeve të internetit me bazë të gjerë, pra të internetit të zakonshëm në shtëpitë tona, vetëm 10 të tilla për 100 banorë. Kjo normë bën që Shqipëria të jetë jo vetëm e fundit në rajon, por edhe e fundit në Europë, sipas raportit më të fundit të unionit ndërkombëtar të komunikacionit.
I vetmi vend në Europë që i afrohet Shqipërisë është Maqedonia me 11.9 abonime për 100 banorë. Por nga ana tjetër, me 69.3 abonime çdo 100 banorë Shqipëria është e dyta në rajon, pas Serbisë, sa i përket numrit të abonimeve çdo 100 banorë. Paradoksalisht, norma e përdorimit të internetit në popullsi është më e vogël se shifra e abonimeve, vetëm 66.4 për 100 banorë, më e ulta në rajon. Por jo më e ulta në Europë, pasi edhe vende më të zhvilluara, si Bullgaria, kanë një normë më të ulët.
Këto të dhëna tregojnë qartë se, interneti në Shqipëri shihet gjerësisht si një shërbim që ofrohet nga aparati celular dhe nga operatorët telefonikë, ndërkohë që shfrytëzimi i internetit me brez të gjerë dhe i kompjuterave për të lundruar në rrjet na vendos të fundit në kontinentin e vjetër. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë qartë se potenciali që buron nga interneti për zhvillimin shoqëror, teknologjik dhe ekonomiko-financiar është ende i nënvlerësuar në vendin tonë.