Investimi 16 miliard euro për ekonominë e Hapësirës! Europa synon të 5-fishojë shifrat
Parlamenti Europian gjatë takimit të fundit ka aprovuar me shumicë votash, ligjin për ri financimin dhe mbi të gjitha për të analizuar dhe një herë politikën e Komunitetit Europian për hapësirën. Periudha e zbatimit do të jenë vitet 2021-2027, dhe pritet të investohen mbi 16 miliard euro, të cilat priten te 5-fishohen.
Bashkimi Europian, në vetvete menaxhon dy programe të rëndësishme si Galileo (sistemi satelitor për gjeo pozicionimin e BE-së), i cili do të përdoret gjithnjë e më shumë në vend të GPS-së amerikane si dhe sistemi Kopernik, i cili kujdeset për jetën tonë të përditshme me një monitor të vazhdueshëm. Ndërkaq ESA, agjencia hapësinore europiane, në të cilën bëjnë pjesë dhe vende që nuk i përkasin BE-së, si Norvegjia, kujdeset për lëshimin e satelitëve si dhe për studime të shumta.
Më konkretisht pritet që me anë të këtij ligji të investohet përkatësisht për sistemin Galileo 9.7 miliard euro, për Kopernik 6 miliard dhe për Ssa/Govsatcom (programi hapësinor i BE-së) 1.2 miliard euro. Sidoqoftë këto shifra priten të shtohen në mënyrë të ndjeshme nga agjenci kombëtare dhe kompani të ndryshme inovacioni që mund të kapin shumën prej 60-70 miliard euro, ka thënë italiani Massimiliano Salini (deputet i parlamentit europian).
ESA që, me drejtorin e tanishëm të përgjithshëm, gjermanin Johan Dietrich Worner, dukej se kishte marrë iniciativa që gati kalonin kufirin e fushës së saj të veprimit, tani është kufizuar vetëm në pjesën e inovacionit që sjell në programet Ssa (ndërgjegjësimi i situatës hapësinore).
Në vetvete Ssa do të nënkuptoj njohuri për gjithçka ndodh në hapësirë, dhe afër Tokës. Mbetjet hapësinore, hyrjet e satelitëve të “vdekur” në atmosferë por edhe klima në hapësirë që përfshin dhe rrezatimin nga Dielli, grimcat që formojnë erën diellore dhe kështu me radhë do të jenë tashmë përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe jo e ESA-s.
Në kohën e ngrohjes globale, kjo është ndoshta çështja më e rëndësishme dhe më e nënvlerësuar deri tani. Një ndarje midis ‘Evropës dhe Evropës’ që e bën paksa të vështirë për t’u kuptuar, por ia vlen të provohet, duke qenë se janë në ‘lojë’ shumë para dhe ekulibra.
Nëse programet si Galileo ose Koperniku, të cilat janë thelbësore për ta bërë Bashkimin Evropian të pavarur në monitorimin territorial, marrin dhe financimin më të madh, atëherë qëllimi i vërtetë i shumë neneve të ligjit duket të jetë në shërbim të qytetarit. Në të vërtetë, falë këtyre dy programeve ne kemi të dhëna shumë ekzakte të pozicioneve në kohë reale nga Galileo, ndërsa me Kopernikun sigurojmë të dhëna të vlefshme të territorit. Shkarkimi dhe përdorimi i këtyre të dhënave, është thesari i vërtetë dhe gjithashtu shumëfishuesi i të ardhurave dhe përfitimeve nëse kemi sukses në zhvillimin e aplikacioneve që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarit evropian dhe industrisë inovative. Ky propozim është bërë dhe në të kaluarën por sot shpresohet që të marrë më shumë forcë duke patur parasysh edhe disponueshmërinë e parave të siguruara nga projektet e ndryshme evropiane.
Prandaj, vëmendje e madhe duhet në vendosjen e kufijve të veprimit të dy agjencive europiane te hapësirës dhe gjithashtu brenda BE-së, për të evituar mbivendosjet midis civilëve dhe ushtarakëve, të cilët nuk citohen kurrë, përkundrazi shpesh thuhet se financimi i programit hapësinor 2021-2027 është vetëm dhe ekskluzivisht për përdorim civil. Edhe pse ekziston mundësia që këto shërbime të shfrytëzohen dhe për qëllime ushtarake, përderisa nuk ekziston ende një ushtri e përbashkët e BE-së, atëherë kjo nuk mund të merret në konsideratë.
Burimi: IL SOLE 24ORE
Përshtati: SCAN