iPhone 18 dhe iPhone 18e do të vijnë në vitin 2027 me 9 GB RAM dhe çipin A20
Modelet bazë të iPhone 18 dhe iPhone 18e, që pritet të prezantohen në pranverën e vitit 2027, do të pajisen me 9 GB RAM, një rritje nga 8 GB që ofrojnë modelet aktuale. Lajmi bëhet i ditur nga MacRumors, duke cituar analistin e njohur të Apple, Ming-Chi Kuo.
Sipas Kuo, çipi i ri A20 do të përdorë një konfigurim memorieje prej gjashtë moduleve 1.5 GB, duke arritur në total 9 GB RAM. Ky konfigurim zëvendëson arkitekturën aktuale me katër module nga 2 GB, e cila përdoret në modelet bazë të serisë iPhone 17.
Analisti beson se me termin “modelet bazë” Apple i referohet iPhone 18 dhe iPhone 18e, të cilët pritet të dalin në treg gjatë muajve mars ose prill 2027. Ndërkohë, modelet premium – iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone-i i parë i palosshëm – pritet të prezantohen në vjeshtën e po atij viti. Këto pajisje, sipas parashikimeve, do të vazhdojnë të ofrojnë 12 GB RAM, njësoj si modelet aktuale iPhone 17 Pro.
Rritja e kapacitetit të memories synon të përmirësojë performancën e pajisjeve, veçanërisht në përpunimin e funksioneve të bazuara në inteligjencën artificiale. Apple synon që modelet e reja të mbështesin pa kufizime të gjitha veçoritë e platformës Apple Intelligence, të cilat do të jenë pjesë e iOS 27.
Ndërkohë, Apple ka rritur së fundmi çmimet e disa prej produkteve të saj, përfshirë linjat Mac dhe iPad, ndërsa seria iPhone 17 ka mbetur pa ndryshime në çmim. Megjithatë, analistët vlerësojnë se me debutimin e serisë iPhone 18 Pro mund të ketë një rritje të re çmimesh. Duke qenë se kompania ka rishikuar çmimet edhe për pajisje si iPad bazë dhe MacBook Neo, është e mundur që edhe iPhone 18 dhe iPhone 18e të mos përjashtohen nga kjo politikë.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

