iPhone “zhytet” në luftën tregtare, Trump: Tarifa në 10% për telefonat e importuar nga Kina
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund të vendosë tarifa në 10% ndaj iPhonave dhe laptopëve që importohen nga Kina, në një intervistë me Wall Street Journal të publikuar këtë javë. Ai tha gjithashtu se nuk ka gjasa që të vonojë rritjen e tarifave nga 10% në 25% në 1 Janar, pak ditë përpara samitit ku do të takojë presidentin kinez, Xi Jinping. “Mbase, varet nga norma që do vendoset.
Mund ta caktoj në 10% dhe njerëzit mund ta përballojnë fare lehtë”, tha presidenti për Wall Street Journal për vendosjen e tarifave ndaj iPhonave dhe laptopëve. Aksionet e Apple ranë me 2% në tregtinë amerikane, pas komenteve të Donald Trump. Presidenti tha se do të rrisë tarifat ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë në 25%. Ai do të shtojë gjithashtu 267 miliardë dollarë tarifa në mallra që nuk janë ende subjekt i tarifave ekzistuese, nëse të dy vendet nuk arrijnë në një marrëveshje.
Produktet e Apple janë të përjashtuara aktualisht nga tarifat tregtare. Donald Trump lajmëroi më herët se tarifat do të ndikojnë Apple Watch, AirPods dhe produkte të tjera, po u kursyen gjatë prezantimit të tyre. Pavarësisht se iPhonat montohen në Kinë, shumë pjesë vijnë nga Shtetet e Bashkuara.