Kamp refugjatësh me energji diellore?

Nga Gëzim Hoxha

Të jesh emigrant nënkupton që ti të kesh lënë shtëpinë për arsye të njëjta siç e kanë bërë sirianët për shembull. Po nëse fati u tregua mizor me ta, të tjerët mund të ndikojnë për mire në jetët e tyre. Dhe pikërisht historia e tyre në kampin Azrak të refugjatëve në Jordani u publikua të enjten si një histori suksesi nga UNHCR. Është një histori që do ta donin që t’iu ndodhte jo vetëm të ikurit por edhe ata që edhe sot e kësaj dite jetojnë pa u hyrë asnjë ferrë në këmbë, mirë e bukur në shtëpitë e tyre, është një histori për energjinë falas.

Një impiant i tërë panelesh diellore, i pari i këtij lloji në një mjedis ku strehohen refugjatët, do e transformojë jetën e mijëra sirianëve të cilët jetojnë në shkretëtirë. Ky rrjet elektrik do të furnizojë me energji falas rreth 20.000 refugjatë sirian. Ndërtimi i impiantit në kampin e refugjatëve Azrak kushtoi 8.75 mln euro dhe u financua nga fondet e grumbulluara nga një fushatë me titull “Më shumë dritë në jetët e refugjatëve”, të ndërmarrë nga fondacioni IKEA.

UNHCR e ndërmori këtë veprim duke menduar se do të ndihmonte veten dhe duke i bërë mirë vetes ajo do i bëjë mirë edhe ambientit. Ky impiant do të kursejë 1.5 mln $ të shpenzuara çdo vit nga agjensia në fjalë për energjinë elektrike, fonde të cilat do të përdoren për një tjetër lloj ndihme. Kush e di sa do të kursenin familjet e thjeshta anekënd botës, buxhetet e të cilave janë më tepër se modeste. Përveç kësaj, do të mundësohet dhe emetimin e 2.37 ton më CO₂ më pak, sepse për prodhimin e saj nuk do të duhet të bëhet asgjë.

Por histori të tilla janë shumë të pakta dhe edhe pse janë burim frymëzimi për çdo vendim – marrës e pushtet – mbajtës nuk mund ta zgjidhin një herë e mirë problemin e refugjatëve të shumtë që janë e do të jenë të shumtë. Kjo për shkak të kontradiktave që burojnë si pasojë e ndasive të shumta që ekzistojnë mes njerëzve dhe po thellohen dita – ditës. Këto ndasi janë në thelb të ndarjes të pabarabartë të burimeve ekonomike, të besimit, të kombësive, të qytetërimeve e kulturave të ndryshme etj.

Një histori tejet e trishtë që bie në kontrast me historinë e sipërpërmendur, është historia e sudanezëve jugor. Këta refugjatë i gjen më së shumti në Uganda por më se 1 mln të tjerë janë strehuar në Sudan, Kenia, Etiopi, Republikën Demokratike të Kongos dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.

UNHCR, një agjensi e OKB –së për refugjatët përsëriti thirrjen e saj ditët e fundit drejtuar komunitetit ndërkombëtar për më shumë mbështetje në lidhje me gjendjen e refugjatëve nga Sudani Jugor në Uganda. Bëhet e ditur se numri i tyre në këtë vend ka arritur në 1 mln. Gjatë 12 muajve të kaluar numri i refugjatëve sudanezo jugor të mbërritur çdo ditë në Uganda ishte 1800 persona.

Më tepër se 85% e refugjatëve të arritur në Uganda janë gra dhe fëmijë nën moshën 18 vjeç. Të ardhurit e fundit dëshmojnë për dhunë barbare të ushtruar nga ana e grupeve të armatosura si djegie të shtëpive me njeëz brenda, vrasje njerëzish në prani të të afërmve, sulme seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe rrëmbim të djemve me qëllim rekrutimin e tyre të detyruar ushtarak.

Nga 674mln $ që nevojiten për refugjatët në Uganda këtë vit, janë marrë për këtë qëllin vetëm 21% e kësaj shume. Edhe gjetkë në rajon situata e fondeve të marra paraqitet diçka më mirë. Nga totali prej 883.5mln$ që nevojiten për këtë çështje janë marrë vetëm 250 mln$.

Mungesa e tyre e ka nxitur këtë agjensi të hedh një peticion për ndihmë nëpër rrjete sociale. Në twiter psh qarkullon prej ditësh një i tillë, i cili është nënshkruar nga qindramijëra njerëz. Tani më shumë se kurrë ne duhet të qëndrojmë përkrah refugjatëve. – kjo është dhe thirrja e këtij peticioni për ndihmë. Më tepër se 1 mln njerëz janë zotuar të japin ndihmën e tyre duke e nënshkruar këtë peticion. – bën të ditur UNHCR. Qëllimi disi i veçantë i këtij peticioni është grumbullimi i më tepër ndihmave për fatkeqët që iu duhet të lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës së përditshme.

Edhe papa Francesku kërkoi në fillim të kësaj jave që të njhen refugjatët dhe historitë e tyre të dhimbshme. Po çfarë është e gjithë kjo histori refugjatësh? Luftë gjithandej, dhunë dhe vetëm dhunë. Sa e frikshme është për shtetet ku ata shkojnë dhe a ka bazë frika e tyre? The economist ka publikuar një video ku jepen disa arsye se pse kjo frikë është e stisur. Dhe për më tepër, më mirë se kush do këto arsye i dinë vetë politikanët, ata që hartojnë buxhetet dhe politikat qeverisëse të çdo shteti.

Më konkretisht emigrantët i ndihmojnë shtetet ku ata strehohen të zgjidhin problemin e plakjes së popullsisë dhe taksat e tyre financojnë skemën e pensioneve. Ata tejkalojnë mungesën afatshkurtër dhe afatgjatë për krahë pune. Emigrantët dhe bijtë e tyre kontribuojnë në zhvillimin e shkëncës dhe të artit. Shembullin më të mirë e dha Stiv Xhobsi, i cili qe i biri i një emigranti sirian. Ai themeloi kompaninë e cila do të ndryshonte botën. Punëtorët e ardhur si emigrantë e ndihmojnë ekonominë që të rritet. Disa ekonomistë vlersojnë se emigrimi i lirë do të mund të rriste prodhimin global me miliarda dollar. Ata që zhvendosen shikojnë ndryshimin pozitiv në rritjen e të ardhurave të tyre me të paktën 2.5 herë. Efekti shumfishues i pagës së një punëtori meksikan që punon në SHBA është 15 herë më shumë. I njëjti efekt ndikon edhe në pagat e një nigeriani apo të një jemeniani që punon në Amerikë.

Pra kë dëmton një emigrant, nëse ai nuk shkel asnjë prej ligjeve në vendin ku emigron? Nëse ai hyn, supozojmë edhe ilegalisht, por arrin të integrohet në shoqërinë e atij vendi dhe i përmbush nevojat e tij jetësore me punë të ndershme kë dëmton? Thjesht, askënd. Ai vetëm e ndihmon atë vend që të rritet ekonomikisht, sepse minimalisht ai do një strehë, do të ushqehet dhe të vishet. Pra kaq e thjesht është. Ndoshta do të duhet një botë më e lirë dhe një botë më e bashkuar që të përballet dhe ta zgjidhë një herë e mirë problemin e refugjatëve.

E nuk bëhet fjalë vetëm për disa njerëz që ikin nga lufta, jo. Duhet të kuptohet se me anë të luftës nuk arrihet gjë kundi. Ndoshta kapitalizmit i jep frymëmarrje nga pikëpamja ekonomike nxitja e një lufte, ndoshta me anën e luftërave ekonomia rritet për shkak të mobilizimit të shoqërive dhe rritjes së blerjeve qeveritare, por ka diçka që vlen shumë më tepër. Dhe kjo diçka është, humanizmi

SHKARKO APP