Kërcënimi nga Bitcoin
Për sa kohë një monedhë nuk është certifikuar nga një qeveri, ka pak gjasa që ajo të jetë e besueshme. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të bëhet gjë për të luajtur për naivët dhe symbyllurit, apo një armë e shkatërrimit financiar në masë për luftënxitësit politikë nëpër botë.
Luhatshmëria e jashtëzakonshme e Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera është bërë kërcënim jo vetëm për sistemin financiar ndërkombëtar por edhe për rendin politik. Teknologjia e hallkave të zinxhirit (blockchain) mbi të cilën mbështeten kriptomonedhat premton një metodë më të mirë dhe më të sigurt pagesash se çdo gjë që kemi parë më parë dhe disa besojnë se kriptomonedhat do të zëvendësojnë paranë elektronike në llogaritë tona tradicionale bankare, njësoj si transfertat elektronike zëvendësuan paranë letër, e cila pasoi arin dhe argjendin.
Por të tjerë janë me të drejtë dyshues sepse kjo teknologji e re mund të manipulohet apo abuzohet. Paraja është pjesë e fabrikës shoqërore. Për shumicën e qytetërimit, ajo ka ofruar bazën e besimit mes popujve dhe qeverive dhe midis individëve përmes shkëmbimit. Ajo ka qenë pothuajse gjithmonë shprehje e sovranitetit ndërsa monedhat private kanë qenë shumë të rralla.
Në rastin e parasë metalike, monedhat në mënyrë tipike mbartnin simbole të identitetit shtetëror, ku një nga shembujt më të hershëm ka qenë një buf që simbolizonte qytetin e Athinës. Zakonisht, gjithsesi, ka pasur konfuzion nëse emblemat në një monedhë përfaqësonin sovranitetin apo hyjnoren. Koka e kujt është në këtë monedhë? A është Filipi i Maqedonisë apo Aleksandri i Madh, apo është Herkuli? Më vonë, perandorët romakë filluan ta shfrytëzojnë këtë ambiguitet, duke shtypur monedha me pamjen e vet “hyjnore”. Dhe edhe sot, monedhat britanike mbartin fjali që lidhin monarkinë me Zotin.
Sido që të jetë puna, ka një tipar të qartë përgjatë historisë: shtetet e këqija prodhojnë para të keqe dhe paraja e keqe krijon shtete të dështuara. Gjatë periudhave të inflacionit apo hiperinflacionit, zhvlerësimi radikal i monedhës mund të shkatërrojë bazën e rendit politik. Për shembull, Lufta e Tridhjetë Viteve në Europën Qendrore në shekullin e shtatëmbëdhjetë u ushqye në një masë të madhe nga dizintegrimi shoqëror që pasoi një periudhë destabiliteti monetar.
Në mënyrë të ngjashme, gjatë Revolucionit Francez, spekulimi me një monedhë letër të lidhur me pronën “kombëtare” që ishte konfiskuar nga aristokratët dhe kisha minoi ligjshmërinë e Jakobinëve. Në shekullin e njëzetë, periudhat e inflacionit gjatë pas pas dy luftërave botërore shkatërruan institucionet politike dhe ndezën zjarrin e radikalizmit. Në fakt, Vladimir Lenin e konsideronte shtypjen e monedhës si “mënyra më e thjeshtë për të shfarosur vetë shpirtin e kapitalizmit” dhe demokracinë borgjeze.
Përveç të qenit një nga faktorët kryesorë pas shpërbërjes së shteteve, monedha e keqe ka qenë gjithashtu tipar kyç i konflikteve mes shteteve. Sepse për shtetet në luftë, krijimi apo shfrytëzimi i trazirave monetare ka qenë historikisht një rrugë e lirë për të shkatërruar kundërshtarët. Edhe në kohë paqeje, shtete i janë përgjigjur përkeqësimit të marrëdhënieve përmes hedhjes së parasë false për të ushqyer telashe përtej kufijve të vet.
Shembulli më i mirënjohur i një lufte të tillë me para është skema e Gjermanisë Naziste për të shtypur kartëmonedha të fuqive aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kartëmonedhat e falsifikuara natyrisht që mund të përdoren për të blerë burime të rëndësishme apo për të paguar spiunë. Por Gjermania planifikoi gjithashtu të përdorte bombardues të distancave të gjata për të hedhur bankënota mbi të gjithë Britaninë. Vetëm imagjinoni demoralizimin dhe kaosin që do të pasonte. Çdokush me një shumë të madhe parash do të ishte automatikisht i dyshuar dhe besimi publik do të gërryej menjëherë. Bombardimi me para mund të jetë shumë më shkatërrimtar se sa bombardimi me bomba.
Paraja është edhe më e lehtë për t’u manipuluar kur ajo është e ndërkombëtarizuar. Në epokën moderne, shtete batakçinjsh të tillë si Koreja e Veriut kanë falsifikuar rregullisht kartëmonedha, veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara. Dhe transfertat ndërkufitare elektronike mes bankave janë përdorur shpesh për qëllime të këqija apo kriminale. Gjithsesi, deri tani nuk ka pasur sulme botërore shkatërrimtare jashtë botës së fantazisë kinematografike.
Natyrisht, ka pasur prej kohësh përpjekje politike për të minuar apo zëvendësuar dollarin si monedhën dominuese botërore. Alternativa më joshëse duket se ka qenë ari. Teoristi rus i “Euroazisë” shpesh mburret për përdorimin në ikonografinë ruse të arit. Më 2011, Mahathir Mohamad, në atë kohë kryeministër i Malajzisë, u përpoq të hidhte në qarkullim një “dinar të artë” si një përgjigje ndaj sistemit të monedhës me bazë në SHBA. Dhe më 2005, shefi i sigurisë së Al- Kaedës Saif Al-Adl sugjeroi përdorimin e arit për të rrëzuar dollarin.
Bitcoin duket si një version i arit për shekullin e njëzet e një dhe krijuesit e saj madje e kanë përqafuar këtë analogji. Ajo prodhohet – ose nxirret nga miniera – me punë. Dhe njësoj si çmimi i arit dikur reflektonte lodhjen njerëzore që nevojitej për ta nxjerrë atë nga toka në vende të largëta, krijimi i Bitcoin duket se kërkon sasi të stërmëdha fuqie kompjuterike, udhëhequr nga energjia e lirë në zonat e largëta të Azisë apo Islandës.
Por ngritja e Bitcoin përfaqëson një ndryshim në atë se si shoqëria percepton vlerën themelore. Ndërsa monedhat metalike para-industriale shërbyen si bazë për teorinë e blerës së punës – ku mallrat dhe shërbimet kanë vlerë të barabartë me sasinë e punës njerëzore të hedhur për krijimin e tyre – teknologjia e blloqeve të zinxhirit i jep vlerë një kombinimi të fuqisë kompjuterike me energji të magazinuar, ku asgjë nuk është njerëzore.
Në të njëjtën kohë, kriptomonedhat si Bitcoin kanë bërë pothuajse të pamundur të dallosh mes kriminalitetit shtetëror dhe atij privat. Koreja e Veriut dyshohet se ka vijuar përpjekjet e saj për manipulim të monedhave duke gërmuar dhe krijuar Bitcoin, gjë që shtyu Kinën dhe Korenë e Jugut të marrin masa për ta mbyllur shkëmbimin e Bitcoin. Platformat madhore të kriptomonedhave, të tilla si Coincheck në Japoni, kanë pezulluar gjithashtu tregtinë.
Megjithatë ne kemi mbërritur sakaq në pikën ku një kolaps i Bitcoin mund të sjellë komplikime seriose botërore. Ekspozimi aktual i institucioneve financiare ndaj kriptomonedhave është i paqartë, dhe me gjasa nuk do të zbulohet deri pas një katastrofe financiare. Mbart tiparet e viteve 2007 dhe 2008, kur askush nuk dinte realisht se sa ishte ekspozimi ndaj borxheve jocilësore me kolateral. Deri sa mbërriti kolapsi, ishte thjeshtë hamëndësi e njerëzve nëse një institucion ishte apo jo në rrezik falimenti.
Njësoj si njeriu sot nuk mund ta dallojë menjëherë nëse një raport është “lajm fals,” askush nuk mund të dallojë menjëherë vlefshmërinë e një forme të re monetare. Për sa kohë një monedhë nuk është autentifikuar nga një qeveri, ajo ka pak gjasa që të jetë e besueshme. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të bëhet një objekt loje për naivët dhe budallenjtë, apo një armë e shkatërrimit financiar në masë për luftënxitësit politikë nëpër botë. BIRN