Kina në garë hapësinore me SHBA, kërkojnë stacion hapësinor të vetin në vitin 2022

Kinezët kanë planifikuar që të kenë stacionin e tyre hapësinor brenda vitit 2022. Këtë javë u nis nga Kina anija e dytë kozmike për të transportuar në hapësirë disa prej materialeve të domosdoshme. Amerikanët ndërkaq në këtë garë hapësinore kanë mobilizuar edhe disa prej kompanive private më të fuqishme në botë.  

Kinezët kanë nisur anijen e tyre të dytë kozmike drejt hapësirës me materialet e domosdoshme për Stacionin e tyre hapësinor.

Anija kozmike me furnizimet për stacionin hapësinor do të duhej të nisej që javën e kaluar, por ngritja u vonua në minutën e fundit për shkak të një defekti teknik.

Ky është misioni i dytë i gjigantit aziatik nga 11 misionet që janë parashikuar, për të përfunduar stacionin e parë hapësinor të Kinës.

Mediet kineze shkruajnë se projekti për ta pasur të gatshëm stacionin për studime kozmike është viti 2022. Muajin tjetër pritet që të niset gjithashtu edhe një anije tjetër kozmike nga shkretëtira e Gobit me 3 astronautë, ndërsa do të transportohen edhe dy module laboratorike me peshë nga 20 tonë secili.

Deri më tani Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar përdoret nga Amerika, Rusia, Japonia, Kanadaja dhe 15 vende të tjera, por amerikanët kanë ndaluar që Kina ta përdorë atë.

Amerikanët, ndërkaq, në këtë garë hapësinore, ku Kina më herët arriti edhe në Mars, kanë inkuadruar në “betejë” edhe kompani të fuqishme private.

SHKARKO APP