Kolonizimi i Marsit do të bëhet përmes kësaj sere – Furnizon 100% të ajrit dhe 50% të ushqimit

Shkelja e njeriut në Mars dhe kolonizimi i “planetit të kuq” është një ëndërr e madhe e njerëzimit, e cila duket gjithmonë e më pranë. Në vitet e fundit, SpaceX, kompania e Elon Musk, synon të punojë për kolonizimin e Marsit me 1 milion njerëz. Musk shpreson që të dërgojë anijen kozmike atje fillimisht pa ekuipazh në vitin 2022, ndjekur nga shkelja e parë e njeriut në vitin 2024.

Megjithatë, edhe nëse transporti nuk është një problem, lindin pyetje të tjera mbi faktin se si do të jetojnë vizitorët e Marsit. Planeti është 54.6 milionë kilometra larg Tokës dhe dritarja kohore për nisjen e misioneve hapësinore është çdo 26 muaj. Kjo kohë bën që misionet për furnizimin me ajër të freskët, ushqim dhe ujë të jenë shumë kufizuese.

Për këtë arsye, kërkuesit e NASA po punojnë prej vitesh për një sistem që mbështet jetën në planetin e largët, të quajtur “Sera Hënore e Marsit”.

Njerëzve u duhen katër nevoja jetësore në hapësirë: ajër i freskët, ujë i pastër, ushqim dhe një mënyrë për të hedhur apo ricikluar mbetjet. Por me teknologjinë aktuale, dërgimi i një kilogrami çfarëdo në Mars mund të kushtojë dhjetëra mijëra dollarë.

Sistemet biorigjeneruese jetësore, siç njihen, premtojnë një zgjidhje. Koncepti daton që nga koha e Luftës së Ftohtë dhe konsiston në përdorimin e bimëve dhe mikrobeve në një sistem që vetëmbahet për të ricikluar mbetjet dhe për t’i shndërruar në ajër, ujë dhe ushqim.

Tashmë, fermat që s’kanë nevojë për dhe’ janë një opsion shumë i mirë dhe ato përdorin thjesht ujë të rrjedhshëm dhe kripëra minerale. Mbi këtë parim është bazuar edhe agjencia hapësinore për të krijuar disa njësi.

Çdo njësi përbëhet nga një tub i ngritur mbi një kornizë të lehtë alumini, e cila mund të mblidhet deri në 1.2 metra, në mënyrë që ta nxërë çdo anije hapësinore. Duhen vetëm dy njerëz për ta asembluar atë në 10 minuta. Nga jashtë, dheu marsian mund të hidhet për ta mbrojtur nga meteoritët apo nga rrezatimi.

Në brendësi, pjesët plastike dërgojnë ujë në rrënjët e bimëve, duke përqendruar me kompjuter edhe ushqyesit e duhur në mënyrë që procesi të jetë sa më efektiv dhe i shpejtë. Drita mund të gjenerohet nga panelet LED, por mund të merret edhe direkt nga jashtë.

Një njësi, në potencialin e saj të plotë operues, mund të ofrojë 50% të ushqimit, 100% të ajrit dhe 100% të ujit që një astronauti i duhet si në Mars apo në Hënë.

Edhe pse është dizajnuar për bimët, tubat mund të konfigurohen edhe për të rritur insekte, krimba apo gjallesa të tjera, të cilat do të shërbejnë për ushqimin me proteina.

Edhe pse në një fazë kaq të avancuar, projekti ende nuk është gati për mision, pasi duhet të rrisë më tej eficiencën e ushqimit të prodhuar.

Në drejtimin e biorigjenerimit, duke se është Kina që do të tejkalojë SHBA, falë eksperimentit “Pallati Hënor 1”. Në Korrik 2017, katër studentë u mbyllën brenda një strukture të izoluar nga ajri dhe u ushqyen me bimë dhe krimba për 200 ditë. Një tjetër avantazh i Kinës është fakti se mbi 170 mijë njerëz punojnë në programin e saj hapësinor, i cili po merr gjithmonë e më tepër fonde nga qeveria.

Gjithsesi, krijimi i një sistemi mbështetës biorigjenerues nuk do të jetë i lehtë, pasi sipas shkencëtarëve kjo do të thotë të krijosh një teknologji që zëvendëson krejtësisht atë çfarë bën Toka. /scan

SHKARKO APP