Komunikimi virtual, njerëzimi zbuloi nga halli një tjetër dimension

Për shkak të Covid-19, protokolle komunikimi që ende nuk ishin adoptuar gjerësisht u zhdoganuan dhe gjetën një përdorim të gjerë jo vetëm nga media, por edhe nga qytetarët në përditshmëri.

Distancimi social ka detyruar të gjitha televizionet që intervistat me të ftuarit t’i zhvillojnë përmes aplikacioneve “online”. Edhe ne do të jemi në komunikim virtual me Skype me kolegun Elvin Luku.

“Komunikimi virtual me ne ka qenë gjithmonë, por për shkak të rrethanave të reja nuk ka më kontakt social, por gjithçka është zhvendosur në linjë”, thotë Luku.

Komunikimi virtual heq barrierën e distancës dhe e bën të lehtë marrjen e një mendimi nga një ekspert amerikan mbi këtë proces që po kalojnë shoqëritë në gjithë botën.

Jim Arkedis, ekspert komunikimi në SHBA, u shpreh: “Është kohë shumë interesante sepse po u kërkojmë mjekëve, eskpertëve dhe liderëve lokalë të shpjegojnë si Covid po ndikon çdo komunitet dhe kjo i ka detyruar njerëzit të mendojnë për forma të reja komunikimi, të ngrenë studio në shtëpitë e tyre”.

Dhe këto lloj studiosh kanë qenë veçanërisht të nevojshme për median. Gazetarë të njohur në mbarë botë, si Kristian Amanpour apo Hala Gorani kanë ngritur studio në shtëpitë e tyre për të përcjellë informacionin tek publiku: “Media po ndryshon, teknologjia po përmirësohet, ndaj parashikimi im është se gazetarët do të përdorin teknikat më të mira që kanë dalë nga kjo periudhë dhe do i praktikojnë në të ardhmen”.

Ndërsa Luku thotë: “Mediat në Shqipëri deri diku kanë arritur t’i përdorin mirë Skype dhe Facebook”.

Pa dyshim është çlirues, por komunikimi virtual ka pluset dhe minuset e saj: “Shkurton distancën kohore dhe fizike. Disavantazhi më i madh është që nuk ke kontaktin fizik”.

Arkedis shpjegon: “Avantazhi është se çdokush mund të realizojë këtë komunikim, kudo. Unë po ju flas me iPhone, duket një pamje shumë e bukur, por unë po ju flas nga tualeti. Këto janë edhe disavantazhe. Nëse ndërtoni studion tuaj në një mënyrë joprofesionale, nëse keni shumë foto, apo zëra fëmijësh ndërsa flisni, që janë sfiduese, kjo do të heqë vëmendjen nga mesazhi dhe informacioni që po jepni”.

Ekspertët e komunikimit thonë se komunikimi virutal do të jetë një trashëgimi e mirë që do të lerë Covid-19. Ndaj, nëse do të jeni para një mbledhje “online”, një interviste pune apo televizive, duhet të mbani parasysh këto këshilla

“Duhet të dukesh profesional edhe pse komunikoni nga shtëpia, të vini një kravatë të bukur, mos vishni një bluzë sikur sapo jeni ngritur nga krevati. Sa i përket qëndrimit, rrini drejt që të plotësoni të gjithë ekranin, sigurohuni të keni një mikrofon, të mos përdorni mikrofonin e kompjuterit dhe sigurohuni të mos ketë elementë të panevojshëm në ambient që mund të zhvendosin vëmendjen”, këshillon Jim Arkedis.

SHKARKO APP