“Libra”, kriptovaluta e Facebook – Me partnerë si Visa dhe PayPal, kompania ka pritshmëri të larta

Facebook bëri të ditur planet për të nxjerrë në treg kriptovalutën e vetë, të quajtur Libra,  që është përpjekja e fundit e kompanisë për t’u zgjeruar përtej rrjeteve sociale, drejt tregtisë në rrjet dhe pagesave. Facebook është lidhur me 28 partnerë në entin në Gjenevë të quajtur Shoqata Libra, që do të drejtojë monedhën e re digjitale që pritet të dalë në treg në gjysmën e parë të 2020-ës. Facebook krijoi gjithashtu një njësi të quajtur Calibra, që do të ofrojë portofole digjitalë, për të kursyer, shpenzuar dhe transferuar libra.

Calibra do të lidhet me platformat Messenger dhe WhatsApp të Facebook, që kanë deri më tani 1 miliardë përdorues. Kompania ka pritshmëri të mëdha për Libra, por shqetësimet mbi privatësinë e konsumatorëve dhe barrierat rregullatore, mund të sjellin pengesa të mëdha. Facebook shpreson që jo vetëm të mundësojë transaksione mes konsumatorëve dhe bizneseve në të gjithë botën, por edhe t’i ofrojë konsumatorëve jashtë bankave akses në shërbimet financiare.

Sipas burimeve, emri Libra u frymëzua nga shenja astrologjike për drejtësi dhe fjala franceze, liri.  Facebook pret që të “shtrydhë” para nga shërbimet e mesazheve nëpërmjet transaksioneve dhe pagesave, diçka që ndodh në Kinë me aplikacione si WeChat.   Partnerë në projekt përfshijnë emra si Mastercard, Visa, Spotify, Paypal, eBay, Uber dhe Vodafone.   Ata shpresojnë që të kenë 100 anëtarë deri në prezantimin e Libra në 2020.  Çdo anëtarë ka të drejtën e votimit mbi vendimet e rëndësishme në lidhje me rrjetin e kriptovalutës dhe firmat duhet të investojnë të paktën 10 milionë dollarë, që të marrin pjesë.

SHKARKO APP