Lidhja në internet do të bëhet përmes dritës

Në të ardhmen do të mjaftojë thjesht një llambë LED për të qenë gjithnjë të lidhur në internet me kompjuterin, tabletën dhe smartfonin, ky është revolucioni i “Li-Fi”, një “Wi-Fi” prej drite që do të mundësojë transmetimin e shpejtë të sasive të mëdha të të dhënave duke garantuar një mbrojtje më të madhe të komunikimit.

“Ndërsa Wi-Fi përdor valët radio, Li-Fi përdor ato elektromagnetike”, shpjegon Michele D’Amico doktor i “Wireless and Mobile Propagation” në Politeknikun e Milanos.

Për të krijuar lidhjen në internet do të mjaftojë vetëm një llambë LED me ndriçim normal.

Drita e dukshme e ndryshuar në shpejtësi të lartë transmeton të dhëna drejt pajisjes së përdoruesit, kompjuter apo smartfon, që duhet të jetë i pajisur me një aparaturë që transformon ndryshueshmërinë e ndriçimit të LED në sinjale elektrike.

“Mes pikave të forta të Li-Fi është rrezja optike, që garanton mbrojtjen e ndërhyrjeve nga sistemet e tjera dhe një mbrojtje më të lartë nga përgjimet. Për më tepër, meqenëse nuk përdor frekuencat radio, Li-Fi mund të përdoret në avionë dhe spitale”, thekson eksperti i Politeknikut.

“Megjithatë kjo teknologji e re ka edhe limite. Li-Fi nuk tejkalon pengesat si muret për pasojë duhet të instalohet një pajisje në çdo ambient ku dëshiron të lidhesh në internet. Për më tepër duhet që dritat të mbeten gjithnjë ndezur, edhe ditën”, shpjegon D’Amico. (Ata)

SHKARKO APP