Lufta e Europës Qendore për liri dixhitale

Një çerek shekulli më parë, kur Muri i Berlinit ra dhe Perdja e Hekurit u ngrit, njerëzit në Europën Qendrore zgjodhën kapitalizmin mbi komunizmin dhe demokracinë mbi diktaturën.

Sot, megjithatë, shtetasit e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë – katër vendet ish-komuniste të rajonit – po japin një performancë zhgënjyese kur vjen puna për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së internetit.

Një studim i fundit në këto katër shtete nga organizatat tona tregojnë se të gjithë ata mund – dhe duhet – të luajnë një rol të fuqishëm në promovimin e rrjedhjes së lirë të informacionit. Por ka shumë për të përmirësuar. Republika Çeke ka një histori të fortë të mbështetjes së shprehjes së lirë, pengimit të mbikëqyrjes dhe promovimit të transparencës, por Hungaria persekuton blogerët dhe botuesit me gjoba të rënda dhe sanksione të tjera. Polonia dhe Sllovakia mbeten diku në mes.

Katër shtetet janë të gatshme të përfitojnë shumë nga bota e re dixhitale. Secili ka kushtet paraprake për komunitete online të hapura dhe aktive: penetrim të mirë të internetit dhe sisteme politike plurale demokratike. Niveli i lartë i edukimit matematikor,  shpenzimet e ulëta dhe një gjeneratë e re e globalizuar dhe perëndimore në rajon përbëjnë një përzierje dehëse dhe të suksesshme, raportoi së fundmi Financial Times

Në fakt, lista “Europa e Re 100” e FT për inovatorët nga Europa Qendrore dhe Lindore përfshin shumë shembuj të historive të suksesit të internetit. Është ‘një doktor hungarez që krijoi një uebsajt për këshilla mjekësore i nxitur nga media sociale, një skuadër studentësh polakë që kanë krijuar një robot që ka fituar çmim dhe që mund të operojë në Mars dhe një shpikës sllovak i një makinë fluturuese”.

Por ende, pavarësisht eksperiencave të tyre nën komunizëm dhe protestave brenda kufijve mbi zbulimet e Edward Snowden për përgjimin në internet, qeveritë e Europës Qendrore nuk kanë mbajtur qëndrim të fuqishëm për të frenuar autoritetet e veta. Policia dërgoi mijëra kërkesa çdo vit për monitorim të përdorimit të internetit dhe gjykatat vendase pothuajse i miratuan ato gjithmonë. Përdoruesit rrallë lajmërohen për kërkesa të tilla dhe kushtet në të cilat ato bëhen janë shpesh të paqarta.

Shumë shpesh, ligjet që sigurojnë lirinë e internetit shpërfillen ose deformohen. Ngrihen debate nëse një përmbajtje duhet të bllokohet dhe se cilat mbrojtje të të drejtës së autorit duhet të aplikohen te publikimet e internetit. Burokratët zvarrisin kërkesat për ta bërë informacionin më të aksesueshëm online dhe gjykatat janë të paduruara për të filluar çështje që duhet të zgjidhen me procedurat e lajmërimit dhe heqjes së materialit online, të projektuara specifikisht për këtë rast.

Në të katërta vendet struktura ligjore ka shumë nevojë për reformë për të qartësuar kufijtë e lirisë së shprehjes për blogerët dhe gazetarët. Legjislacionit duhet të modernizohet për të reflektuar zhvillimet në botën online dhe për të njohur ndryshimin e madh në komunikimin personal dhe shpërndarjen e lajmeve. Në Sllovaki, gazetarët online nuk gëzojnë të njëjtën mbrojtje online si gazetarët e printit. Vendimet e gjykatës mbi përmbajtjen e internetit kanë favorizuar politikanët mbi shtypin. Në Poloni, gjykatësit kërkojnë heqjen e shpejtë të materialit online ofensiv; shpifja është subjekt i hetimit penal.

Transparenca duhet të rritet kudo në Europën Qendrore. Legjislacioni aktual është mjaftueshëm i paqartë për të lejuar agjencitë shtetërore të refuzojnë kërkesat e lirisë së informacionit në bazë të pretendimeve të konfidencialitetit tregtar dhe shqetësimeve të privatësisë.

Hungaria është performuesi më i keq në rajon. Në 2010, qeveria e krahut të djathtë miratoi legjislacionin e medias që kërkon që të gjitha organizatat e medias të regjistrohen në shtet dhe përcakton se historitë që ata raportojnë duhet të jenë ‘të balancuara’ ose ‘në lidhje me shtetasit e Hungarisë’ dhe ‘respektuese të dinjitetit njerëzor’. Ligji gjithashtu dobësoi mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Penalitetet për shkeljen e rregullave përfshijnë gjoba, pezullim apo mbyllje.

Komisioni Europian, Këshilli i Europës dhe grupet monitoruese të shtypit ishin unanimë në kritikimin e legjislacionit, por qeveria hungareze insiston në masat energjike ndaj medias. një kod i ri penal lë vend për abuzim me autoritetin, përfshirë mundësinë e filtrimit të materialit online. Vjeshtën e shkuar, qeveria u përpoq të prezantonte një ‘taksë interneti’ prej 0.50 euro për gigabajt, moralisht e barabartë me një taksë për leximin e një libri apo për bisedim me një mik. Pasi më shumë se 100,000 protestues u mblodhën në Budapest, propozimi u tërhoq, të paktën për tani.

Këto shtete ish-komuniste kanë një mundësi unike për t’u bërë liderë global në lirinë e internetit. Në një samit i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit në Dubai në dhjetor 2012, Michal Boni, një ish-ministër polak i administrimit dhe dixhitalizimit, luajti një rol të rëndësishëm në bllokimin e përpjekjeve për të imponuar kontroll qeveritar për përdorimin e internetit. Por ende, ndërkohë, ministri i jashtëm polak nuk e ka bërë lirinë e internetit një përparësi. Ndryshe nga Republika Çeke, për shembull, Polonia ende nuk i është bashkuar Koalicionit për Lirinë Online.

Dy dekada më parë, njerëzit e Europës Qendrore u ngritën për të hedhur poshtë qeveritë sekrete dhe autoritare. Sot, shtetet ish-komuniste të rajonit kanë bërë progres të konsiderueshëm. Por mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Një vend i mirë për të filluar do të ishte drejtimi i luftës për lirinë e internetit.

Project Syndicate-BIRN

SHKARKO APP