Makinat pa shofer mund të vrasin me qindra jetë, por mund të shpëtojnë me mijëra
Makinat pa shofer mund të vrasin qindra njerëz çdo vit në fillim, por do të shpëtojnë shumë jetë të tjera, tha një ekzekutiv i kompanisë Toyota. Pasi një makinë vetë-ngarëse e kompanisë Uber vrau një këmbësor në Arizona këtë muaj, shqetësimet rreth lëvizjes drejt transportit autonom u përshkallëzuan.
Por shefi ekzekutiv i Toyota në Amerikën Veriore, Jim Lentz, tha të enjten se do të ketë sërish aksidente, ndërsa prodhuesit e automjeteve dhe kompanitë e teknologjisë përpiqen të prodhojnë automjete pa pilot. “Realiteti është se do të ketë gabime përgjatë rrugës, njëqind apo 500 ose një mijë njerëz mund të humbasin jetën e tyre në aksidente siç ndodhi në Arizona”,- tha ai.
Pyetja është nëse ia vlen në qoftë se makinat vetë-ngasëse gjithashtu parandalojnë dhjetëra mijëra aksidente vdekjeprurëse çdo vit. Lentz tha se amerikanët nuk janë ende gati të pranojnë këtë model. “Kjo me të vërtetë do të ngadalësojë adoptimin e ngarjes autonome”,- tha ai.
Lentz vlerësoi se automjetet autonome mund të shpëtojnë 35,000 jetë çdo vit, duke përfaqësuar 98% të përplasjeve vdekjeprurëse të cilat shkaktohen nga gabimi i shoferit. Industria e automobilëve duhet të “bindë konsumatorët se ideja e kompjuterit që drejton makinën tuaj” mund të jetë “një gjë e mirë”, tha Lentz.
Komentet e Lentz erdhën pasi Toyota pezulloi menjëherë testimet e veta të makinave pa shofer pas aksidentit të Uberit. Por pezullimi nuk do të zgjasë shumë, tha ai. “Unë mendoj se ne do të testojmë përsëri së shpejti”,- tha ai.
“Arsyeja që ndaluam ka të bëjë më shumë me shqetësimin tonë për ndikimin që aksidenti kishte mbi shoferët tanë, jo domosdoshmërisht teknologjinë tonë”. Në “një periudhë të shkurtër kohe”, Toyota do të rifillojë testimet, tha ai. Kompania ka vendosur si qëllim që të prezantoi një sistem i cili mund të drejtoi pjesërisht automjetin rreth Olimpiadës Verore 2020.
VIDEO/Si funksionojnë makinat pa shofer