Mbahet në Tiranë konferenca evropiane për të dhënat personale
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në datat 3-4 maj 2018 po organizon Konferencën së Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave, me temë “Mbrojtja e të dhënave – së bashku më mirë” (“Conference of European Data Protection Authorities: Data Protection – Better Together”), edicionin e 28-të. Ky është aktiviteti më i rëndësishëm në këtë fushë në kontinentin evropian dhe zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Besnik Dervishi në fjalën përshëndetëse theksoi se Zyra e Komisionerit ka nisur procesin e modernizimit të legjislacionit kombëtar sipas standardeve evropiane. Kjo qasje është e domosdoshme për t’iu përgjigjur si zhvillimit ekonomiko-social, ashtu edhe procesit të integrimit të vendit. “Konferenca zhvillohet në Tiranë, në një rajon, atë të Ballkanit Perëndimor, që është i përfshirë vrullshëm në procesin e integrimit në BE. Duke besuar se shpreh vullnetin edhe të vendeve të tjera të rajonit, të përfshira në këtë proces, mendoj se duhet që vullnetit tonë t’i përgjigjen edhe organizmat dhe vendet anëtare të BE, pse jo, për ta bërë mbrojtjen e të dhënave personale, lider në procesin e integrimit për ne, dhe të bashkëpunimit sipas GDPR nga ana e vendeve të BE” – vlerësoi Komisioneri në fjalën e tij.
Punimet e Konferencës i përshëndetën edhe të ftuarit e nderit, znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit; znj. Senida Mesi, Zëvendëskryeministre dhe z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë.
Në punimet e edicionit të 28-të të Konferencës Evropiane trajtohen tematika dhe çështje që kanë të bëjnë me nisjen e procesit të zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave prej 25 majit 2018 dhe përpunimin e tyre në kuadër të veprimtarisë së policisë dhe organeve gjyqësore apo raporti i këtij sistemi të ri rregullator me vendet e treta;si dhe forcimi i bashkëpunimit të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave në monitorimin e shërbimeve inteligjente. Gjithashtu, pjesëmarrësit mbajnë prezantime edhe për modernizimin e Konventës 108 të Këshillit të Evropës (“Konventa për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale”); unifikimin me standardet evropiane të mbrojtjes së të dhënave nga sistemet e tjera rregullatore; përpunimin e të dhënave gjatë veprimtarive humanitare apo dhe raportin që krijohet gjatë përdorimit të tyre në rrjetet sociale dhe në llojet e ndryshme të marketingut të drejtpërdrejtë.
Në edicionin e sivjetëm të Konferencës Evropiane marrin pjesë rreth 100 titullarë dhe përfaqësues të Autoriteteve evropiane. E quajtur ndryshe edhe Konferenca Paranverore (Spring Conference) ajo është zhvilluar për herë të parë në Hollandënë vitin 1991. Aktualisht, në këtë forum janë anëtarë me të drejtë vote 62Autoritete kombëtare, rajonale dhe institucione evropiane, si dhe 6 Autoritete të tjera me statusin e vëzhguesit. Konferenca është forumi më i lartë e më i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe koordinimit të strategjive dhe politikave të Autoriteteve evropiane mbikëqyrëse të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë. Zyra e Komisionerit është anëtarësuar në këtë forum në vitin 2010. Organizimi i kësaj Konference në Shqipëri është shprehje e vlerësimit të aktivitetit dhe punës të Zyrës së Komisionerit në arenën ndërkombëtare, si dhe nxitje e ndërtimit e forcimittë rrugëve të bashkëpunimit në mbrojtje të privatësisë së individit.