Mbyllja e TikTok, Kallanxhi: E vështirë të bëhet plotësisht

Më 13 mars, TikTok u mbyll zyrtarisht në Shqipëri. Eksperti i teknologjisë, Tomi Kallanxhi thotë se mbyllja e plotë e platformës është e vështirë. Për të po qarkullon ideja për të instaluar një program në kompanitë që ofrojnë internet në shtëpi për të kontrolluar si përdoret ai nga qytetarët. Kallanxhi theksoi se nuk ka informacion zyrtar nga instancat shtetërore, por kjo mund të përbëjë shkelje të privatësisë.

”Është mbyllur vetëm nga kompanitë telefonike, kurse në ISP nga kompanitë që ofrojnë internet në shtëpi, është pak e vështirë për t’u mbyllur.

Në kompanitë telefonike është pothuajse e pamundur për t’u mbyllur, edhe pse ka një skenar që po qarkullon nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike që është duke u implementuar një skenar që nuk e di.

Ndoshta të ma replikojnë nëse nuk është e vërtetë, që po tentohet të monitorohet, të instalohet një ‘software’ brenda ISP-ve që të monitorojnë çdo qytetar se çfarë trafiku bën, çfarë ‘site’-sh viziton etj.

Duke e ditur se çfarë ‘site’-sh viziton, ata mund të bllokojnë trafikun në momente të caktuara dhe duke e ditur nga URL-të ose ‘website’, kompanitë e internetit mund ta bllokojnë një URL të caktuar”.

SHKARKO APP