Më 2028 njeriu shkel në Mars dhe zbulon udhëtimin në kohë
Në një skenar të ngjashëm me atë të serisë së filmave “Terminator”, një i ri pretendon se vjen nga e ardhmja dhe bën disa parashikime.
Video e të riut misterioz, që e quan veten Noah është publikuar nga Apex TV, një kanal me 100 mijë ndjekës në Youtube dhe mbi 56 milionë shikime të videove në total. Noah testohet në makinën e së vërtetës. Në prezantim ai thotë se vjen nga viti 2030.
Mes parashikimeve të tij është ai se Donald Trump do të rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, robotët e Google do të përhapen në të gjithë botën dhe teknologjia do të ketë avancuar në atë pikë sa inteligjenca artificiale do të jetë krejtësisht autonome, transmeton Top Channel. Ndër të tjera, Noah tregon se Bitcoin do të jetë popullor, por monedhat tradicionale nuk do të kenë dalë ende nga qarkullimi.
Një tjetër parashikim është se në vitin 2030, President i Shteteve të Bashkuara do të jetë një figurë misterioze me emrin Ilana Remikee, ndërsa për ndryshimet e klimës thotë se SHBA do të bëhet më e nxehtë dhe Europa më e ftohtë. Sipas Noahs, njerëzit do të shkelin në Mars në vitin 2028 dhe po në të njëjtin vit do të zbulohet edhe udhëtimi në kohë.
Makinat elektrike, thotë Noah, do të jenë në gjendje që të udhëtojnë me të njëjtën shpejtësi si ato me karburant, ndërsa shumë forma të kancerit do të jenë plotësisht të shërueshme. Noah pretendon se është një 50-vjeçar që ka marrë një kurë për t’u rinuar dhe tani duket si 25 vjeç.
Të gjitha këto pretendime, thotë Apex TV, Noah i ka bërë në makinën e së vërtetës duke e kaluar me sukses testin. Sa të vërteta ka mes tyre? 2030 nuk është larg për ta provuar këtë!