Meta do furnizohet me energji gjeotermike – Marrëveshja synon të përballojë investimet në “IA”
Pronari i Facebook, Meta Platforms, arriti një marrëveshje për të blerë energji gjeotermike nga Sage Geosystems që të furnizojë qendrat e të dhënave në SHBA. Kompania synon të ndërtojë infrastrukturën që do të mbështesë investimet masive për inteligjencën artificiale.
Faza e parë e projektit 150 megavat duhet të fillojë operimin deri në vitin 2027 dhe të zgjerojë “dukshëm” përdorimin e energjisë gjeotermike në Shtetet e Bashkuara, tha kompania e mediave sociale. Vendndodhja ende nuk është përcaktuar, por kompanitë thanë se do të jetë në lindje të Maleve Shkëmbore. Kushtet financiare të marrëveshjes nuk u zbuluan.
Energjia gjeotermike është një burim energjie i rinovueshëm që përdor nxehtësinë e brendshme të Tokës për të prodhuar energji elektrike dhe ngrohjen e ujit. Njëqind e pesëdhjetë megavat është përafërsisht e mjaftueshme për të furnizuar me energji 38,000 shtëpi.
Adoptimi i teknologjive të inteligjencës artificiale kërkon sasi të mëdha energjie elektrike për të furnizuar qendrat e të dhënave dhe ky zhvillim mund të komplikojë objektivin e Shteteve të Bashkuara për dekarbonizimin e sektorit të energjisë deri në vitin 2035.
Një zëdhënës i Meta tha se kompania priste që Sage Geosystems të ushqente rrjetin e energjisë, në vend që të furnizonte drejtpërdrejt ndonjë qendër specifike të të dhënave.
Inteligjenca artificiale ka bërë që shpenzimet e kompanisë të rriten. Muajin e kaluar, Meta parashikoi se shpenzimet kapitale për vitin 2024 do të arrinin midis 37 dhe 40 miliardë dollarë, ndërsa paralajmëroi se kostot e infrastrukturës do të vazhdojnë të jenë një “motor i rëndësishëm” i rritjes së shpenzimeve në 2025.
Kristi Ceta/SCAN