Ndalimi i automjeteve me naftë – Gjermania miraton masat e reja, por mbeten ende sekret
Qeveria gjermane mbështeti planet për reduktimin e ndotjes nga automjetet me naftë, ndërkohë që lehtësoi barrën e konsumatorëve të shqetësuar për kostot që mund të përballen. Kjo çështje është komplikuar politikisht në një vend ‘të dashuruar’ me makinat e tij dhe ku ato me naftë janë të favorizuara nga komuniteti dhe bizneset e vogla për efikasitetin e tyre dhe shpenzimet më të ulta të karburantit.
Në të njëjtën kohë, qeveria nuk dëshiron të dëmtojë industrinë e automobilave të vendit, duke përfshirë prodhuesit Volkswagen, Mercedez dhe BMW.
Shumë qytete në Gjermani u detyruan të ndalojnë makinat e vjetra me naftë bazuar në rregullat e Bashkimit Europian mbi nivelet e oksidit të azotit.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, masat e reja që u vendosën gjatë takimit të anëtarëve të qeverisë së koalicionit të kancelares, Angela Merkel, i cili zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së martës pritet të publikohen gjatë ditës së sotme.
Plani i hartuar parashikon që prodhuesit e automjeteve të bëjnë oferta ‘bujare’ për zëvendësimin e makinave të vjetra me naftë me të reja, ose me automjete të përdorura. Ndërsa, pritet që të arrijnë një dakordësi me propozimin e qeverisë me qëllim ndalimin e qarkullimit të makinave diesel.
Ndërkohë, VW, Daimler dhe BMW thanë për DPA se ishin në pritje të shpalljes së masave të reja, para se të bënin një deklaratë mbi marrëveshjen.