Nga 15 qershori, BE i thotë lamtumirë shërbimit “Roaming”

Duke nisur nga e enjtja e 15 qershorit, Bashkimi Europian i thotë lamtumirë “Roaming”-ut. Por çfarë do të ndryshojë dhe si mund t’i evitojmë surprizat në faturat tona të telefonit? Këshillat dhe truket për të përmirësuar jetën tonë me hapat e fundit të teknologjisë janë si më poshtë.

Fundi i kostove shtesë për telefonatat, SMS-të dhe internetin. Me disa përjashtime…

Pas disa vitesh hezitimi dhe shtyrjeje, shërbimi “Roaming” për cilindo që udhëton drejt vendeve të Bashkimit Europian nuk do të ekzistojë më. Nga 15 qershori nuk do të ketë më shpenzime shtesë kur shtetasit europianë të udhëtojnë drejt 26 vendeve të BE-së, përfshi edhe disa vende të tjera.

Me pak fjalë, kjo do të thotë se planet tarifore, qoftë me kontratë apo me parapagesë, do të aplikohen kudo njësoj. Ky është një nga ato raste kur konsumatorët janë vënë në qendër të zgjedhjeve nga ligjvënësit. E kjo nuk është një zgjedhje rastësore, por vjen pikërisht përpara verës, duke evituar kështu kostot shtesë që klientët e telefonive të lëvizshme paguanin kur shkonin me pushime.

Fundi i “Roaming” bën pjesë në një strategji të quajtur “tregu i përbashkët dixhital”, që ka për objektiv shembjen e barrierave ndaj qarkullimit të lirë të informacioneve “online”. Një tjetër lajm i mirë është se në 6 muajt e ardhshëm do të hiqet edhe “bllokada gjeografike”, pikërisht ajo që të pengon të shohësh apo të dëgjosh përmbajtje “streaming”, si për shembull në “Netflix” apo “Spotify”, apo që të bësh blerje “online” në versionet, për shembull, gjermane apo franceze të “Amazon”.

Por jo gjithçka është kaq e thjeshtë. Komisioni Europian ka përgatitur një dokument me pyetje-përgjigje, për të sqaruar dyshimet më të shpeshta, për të evituar surprizat me faturat e telefonit.

Në cilat vende do të paguhet njësoj?

Plani tarifor kombëtar do të aplikohet njësoj kur një shtetas europian gjendet në Austri, Belgjikë, Bullgari, Qipro, Kroaci, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Republikën Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe Hungari.

Përveç tyre, ligjvënësit europianë kanë firmosur marrëveshje individuale edhe me disa vende jashtë BE-së, siç janë Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia. E pavarësisht “Brexit”-it, do të paguhet njësoj edhe në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë në këtë të fundit reduktimi i kostove mund të mos jetë përfundimtar, pasi gjithçka do të varet nga negociatat për daljen e ishullit nga blloku europian.

Jashtë këtij akordi mbeten vende që nuk janë bërë ende pjesë e BE-së, si për shembull Shqipëria, Zvicra dhe San Marino, vende në të cilat shërbimi “Roaming” do të vijojë të funksionojë. Nëse një shtetasi europian do t’i duhet të kalojë nëpër këto vende me automjete, atij mund t’i ngarkohen kosto të paparashikuara, sidomos sa i përket të trafikut të të dhënave përmes internetit, kjo sepse telefoni i atij do të vijojë të shkarkojë të dhëna edhe kur nuk është aktiv.

Tashmë nuk do të paguhet asnjë vlerë shtesë, nëse një italian telefonon në Suedi nga Roma, por edhe nëse telefonon në Francë nga Suedia.

Europianëve, SMS nga operatorët më 15 qershor

Më 15 qershor, shtetasit e BE-së do të njoftohen përmes mesazheve të shkurtra për fundin e kostove shtesë dhe nëse do të ketë modifikime të planeve të tyre tarifore. Kjo, sepse brenda për brenda BE-së atyre nuk do t’iu ndryshojë gjë, por nëse kanë në plan të udhëtojnë drejt SHBA, atëherë opsionet u nevojiten për të qenë të informuar. Operatorët, gjithsesi do të jenë të detyruar t’i njoftojnë klientët e tyre kur largohen nga territori kombëtar, pavarësisht se nuk iu ndryshojnë tarifat.

Si do të përdoret interneti kur të udhëtojnë jashtë, por brenda BE-së?

Gjëja e parë që europianëve do t’u duhet të bëjnë me të mbërritur në shtetin destinacion, është aktivizimi i të dhënave “roaming”. Kjo sepse për momentin nuk ka ende një marrëveshje mes të gjithë operatorëve për të mundësuar internet në mënyrë automatike. Megjithatë, edhe në këtë rast nuk do të kenë kosto shtesë. Gjithsesi, nëse dikush ka opsionin 4G në planin kombëtar, nuk është e thënë që ta ketë të garantuar edhe në vendin ku ka shkuar për pushime.

Rregullorja kundër abuzimeve

Ata që konsiderohen si më dinakët nuk do të mund të përfitojnë nga mbyllja e shërbimit “Roaming”, që do të thotë se nuk do të jetë e mundur të blihet një kartë “SIM” në një vend me kosto jetese më të ulët dhe të banojnë në një tjetër shtet europian. Çdo 4 muaj, operatorët do të jenë të detyruar të kontrollojnë se nga vjen pjesa më e madhe e trafikut. Nëse më shumë se 50% +1 e telefonatave, SMS-ve apo “megabyte”-ëve do të shihen se janë nga një shtet tjetër nga ai rezidencial, do të aplikohen tarifat “Roaming”. Operatori mund të bëjë edhe kontrolle të tjera, si për shembull atë të kartës së identitetit. Është zgjedhur kjo periudhë 4-mujore, sepse shihet si e mjaftueshme që të shkosh me pushime e të ndjekësh kurset e trajnimit jashtë, pa pasur nevojë për të blerë një kartë të dytë “SIM”. Një lajm i mirë është edhe për ata që konsiderohen “kufitarë”, apo ata që udhëtojnë çdo ditë. Nëse brenda harkut prej 24 orësh do të rilidhen me rrjetin e vendit amë, e gjithë dita do të përllogaritet si trafik kombëtar.

/ Top Channel

SHKARKO APP