Ngjarjet më popullore të vitit në Twitter
Rrjeti social Twitter ka publikuar një listë me ngjarjet më popullore dhe më të “cicëruara” për vitin 2014. Disa nga ngjarjet më të diskutuara për vitin 2014 në Twitter ishin rrëmbimi i vajzave në Nigeri, Kampionati Botëror i Futbollit 2014, Super Bowl, si dhe humbja e aeroplanit “Malaysia Airlines”. 2014 ishte një vit ku ndodhën shumë ngjarje në të njëjtën kohë. Nga humbja e papritur e dy aktorëve më të pëlqyer, tek terrorizmi global, virusi Ebola etj, ka pasur shumë fatkeqësi dhe vuajtje. Mos të harrojmë as luftën për të drejtat e njeriut, për barazinë, për një sistem të rregullt të drejtësisë, për të drejtat e grave, për edukim, për përmirësim të shkencës dhe teknologjisë etj. Kampionati botëror ishte ngjarja sportive më e cicëruar për vitin 2014, ku u dërguan 672 milionë cicërima. Janë dërguar edhe mbi 18 milionë cicërima rreth protestave Ferguson. Ndërsa cicërima më e ri-cicëruar për vitin 2014, që Twitter e quan “Cicërima e artë”, është ‘Oscar selfie’ e postuar nga Ellen DeGeneres, që ka marrë më shumë se 3.3 milionë ri-cicërima.