Nisma e re e HSBC: Të krijojë LinkedIn-in e tregut botëror
Në të parën iniciativë të këtij lloji, HSBC Holding Pls po mbështet krijimin e një start up-i teknologjik që ka për qëllim lidhjen e prodhuesve të vegjël dhe të mesëm me furnizuesit e komponentëve, në pjesë të ndryshme të botës, si pjesë e shtytjes së saj të tregtisë. Serai, i bazuar në Hong Kong, që është një degë e plotë e bankës më të madhe të Europës nga asetet, filloi operacionet zyrtare javën e kaluar dhe është pjesë e planit kryesor të ekzekutivit të HSBC, John Flint, për të investuar 15 deri 17 miliardë dollarë deri në vitin 2020 në teknologji, për të nxitur rritjen. “Të ekzistosh mes tregjeve ndërkombëtare si një kompani e vogël dhe e mesme mbetet ende një makth. Dhe problemi vërtetë janë transaksionet mes kompanive”, tha Vivek Ramachandran, shefi ekzekutiv i Serai. “Pra, nëse keni Facebook si rrjetin tuaj personal, LinkedIn si rrjetin tuaj profesional, Serai është rrjeti për kompaninë tuaj”, tha Ramachandran, i cili më parë ka punuar në njësinë tregtare bankare HSBC për më shumë se tre vjet.
Serai është investimi i parë i HSBC në një nismë teknologjike jo-bankare dhe mund të ndihmojë huadhënësin, me seli në Londër, që e merr shumicën e të ardhurave të tij në Azi, të ketë akses në klientë të rinj për shërbimet e tij bankare. Bankat globale janë duke rritur investimet në teknologji për tregti dhe transaksione bankare, që është puna e përditshme e financimit të biznesit, menaxhimin e thesarit dhe lehtësimin e pagesave, në mesin e konkurrencës në rritje dhe transformimit në zinxhirët e furnizimit ndërkufitar.
Ramachandran tha se platforma e teknologjisë fillimisht do të nxiste rrjetin e klientëve të HSBC në tregun global të klientëve dhe do të zgjeronte mbulimin më vonë për të përfshirë prodhuesit dhe furnizuesit të cilët nuk janë klientë ekzistues të bankës. Serai gjithashtu do të japë hua të vogla për disa nga firmat e vogla me bazë në Hong Kong për të financuar blerjet e tyre, me planet për të nisur zgjidhje financiare të plota dhe sigurimin e kreditit nga palët e treta, tha ai. “Ideja është të krijojmë një platformë ku blerësit dhe shitësit të bashkëpunojnë”, tha Ramachandran. “Ju mund të krijoni lidhje, dhe më pas me kalimin e kohës mund të keni akses në një sërë zgjidhjesh.”
Burimi: Reuters