Një “Çernobil lundrues” në Rusi
I ashtuquajti central bërthamor lundrues u nis nga kantjeri i Shën Peterburgut në drejtim të një baze ruse në Detin Arktik. Centrali atomik lundrues “Akademik Lomonsov” i cili u ndërtua në portin e Shën Petersburgut, do të bëjë javët e ardhshme një udhëtim të gjatë nëpër Detin Baltik dhe Detin e Veriut duke kaluar në veri të Norvegjisë deri sa të arrijë në portin e Murmanskut. Aty dy reaktorët e centralit lundrues do të pajisen me mbushje atomike, i tha Pavel Ipatov, përfaqësues i sipërmarrjes së centraleve bërthamorë Rosenergoatom agjencisë së lajmeve Tass. Në Murmansk është e stacionuar pjesa më e madhe e flotës veriore të Rusisë si dhe shumica e nëndetëseve me mbushje bërthamore.
Nga Murmansku anija do të vazhdojë drejt Lindjes së Largët të Rusisë dhe bregdetit të Detit Arktik në zonën e Shukotkës. Aty ajo pritet të nisë funksionimin në vitin 2019. Plani është që centrali atomik lundrues të furnizojë me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm punëtorët e impianteve për nxjerrjen e naftës në Detin Arktik. Uji i pijshëm do të përftohet nga një fabrikë për shkripëzimin e ujit të detit.
Po ashtu reaktorët binjakë të centralit atomik lundrues pritet të furnizojnë me energji elektrike deri në 200,000 vetë që jetojnë në qytetin port të Siberisë, në Pevek.