Njeriu që shpiku internetin: Gjigantët janë fuqizuar tepër, duhen shkatërruar, ose sfiduar

Gjigantët e teknologjisë si Facebook dhe Google janë rritur aq shumë, saqë duhet të shkatërrohen ose të sfidohen për t’u ulur potencialin. Ky është mendimi i themeluesit të webit (World Wide Web – www), në një intervistë për Reuters.

Revolucioni dixhital u dha fuqi disa kompanive amerikane, që të gjitha së bashku kanë një potencial financiar dhe kulturor më të madh se shumë shtete sovrane.

Tim Berners-Lee, një shkencëtar kompjuterash i lindur në Londër, i cili shpiku rrjetin në vitin 1989, thotë se është i zhgënjyer me gjendjen aktuale të internetit, pas skandaleve të abuzimit me të dhënat personale dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes përmes rrjeteve sociale.

“Ajo që ndodh natyrshëm është që të përfundojmë me një kompani që dominon fushën kështu që përmes historisë nuk ka alternativë për të shkuar drejt thyerjes së këtij “monopoli”, thotë Berners-Lee, 63 vjeç.

Apple, Microsoft, Amazon, Google dhe Facebook kanë në total një kapital prej 3.7 trilionë dollarë, shifër e barabartë me produktin e brendshëm bruto (GDP) të Gjermanisë vitin e kaluar.

Tani një profesor në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts dhe Universitetin e Oksfordit, Berners-Lee, shprehet i shqetësuar për mënyrën sesi kompania e konsulencës Cambridge Analytica përdori të dhënat e 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut. “Ai skandal ishte një pikë kthese për shumë njerëz”, thotë ai.

“Jam i zhgënjyer me gjendjen aktuale të rrjetit. Ne kemi humbur ndjesinë e fuqizimit individual dhe në një farë mase edhe unë mendoj se optimizmi është thyer”, shprehet Berners-Lee.

Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, kërkoi ndjesë pas skandalit të “Cambridge Analytica” dhe premtoi të bëjë më shumë për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve.

“Por mediat sociale, – thotë Berners-Lee, – ende po përdoren për të përhapur urrejtjen”.

“Nëse postoni një pikë dashurie në Tuitter, duket se nuk ka peshë; por nëse postoni një pikë urrejtjeje, propagandohet shumë më fort. Dhe ju vrisni mendjen: A është kjo për shkak të mënyrës sesi është ndërtuar Tuiteri si medium”.

SHKARKO APP