Njohuritë për internetin duhet të fillojnë që në shkollën fillore

Njohuritë për internetin dhe sigurinë në internet duhet të fillojnë që në shkollën fillore, mendon Thomas Tschersich, drejtues i sektorit për sigurinë e IT-së pranë Deutsche Telekom në Bon. Ai thotë se fëmijët mësojnë që herët rregullat e qarkullimit rrugor, dhe po kaq e nevojshme është që ata të mësojnë sa më herët se si të sillen në rrugët dhe autostradat digjitale.Në kuadër të Konferencës së Munihut për Sigurinë zhvillohet në Bon Samiti për Sigurinë Kibernetike (Cyber-Security-Summit). Për ta sensibilizuar opinionin për rëndësinë e ndërmjetësimit të njohurive për sigurinë në internet që në bankat e shkollës, në kuadër të Cyber-Security-Summit do të zhvillohet edhe Samiti për Fëmijët. Për ta bërë çështjen e sigurisë në internet të njohur në institucionet arsimore, në prag të samitit është organizuar një konkurs në të cilin shkollat kanë paraqitur projekte që lidhen me ndërmjetësimin e njohurive në këtë fushë.

Nivel i ri i kriminalitetit kibernetik

Shkalla rritjes së rrjeteve të internetit dhe e digjitalizimit e ka ndryshuar gjerësisht fushën e sigurisë apo të pasigurisë kibernetike. Nga ana tjetër pas Edward Snowden ka ndryshuar edhe debati i përgjithshëm publik dhe niveli i ndërgjegjësimit për çështjen e sigurisë kibernetike. Sulme kibernetike ka pasur edhe në vitet 80-të, por digjitalizimi i modeleve të biznesit e ka bërë më interesant edhe krimin në internet. Pra sulmet janë bërë më të sofistikuara dhe profesionale, thotë Thomas Tschersich. Në faqen www.sicherheitstacho.eu. mund të shikosh se ku janë pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes kibernetike dhe vihet re se në ditë ka rreth një milionë sulme ndaj 180 sensorëve të rrjetit që lidhet me këtë faqe.

Të dhënat e shërbimeve sekrete pjesë e vogël e problemit

Sot ka një gamë shumë të gjerë sulmesh kibernetike. “Publiku aktualisht debaton shumë për mbledhjen e të dhënave nga ana e shërbimeve sekrete. Por unë mendoj se kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël e problemit të vërtetë.” – thotë Thomas Tschersich. Pjesa më e madhe e këtyre sulmeve që shkaktojnë edhe dëme ekonomike është ajo që vjen prej krimit të organizuar, shembull përpjekjet për të vjedhur të dhënat e bankave. Ky është një biznes prej miliarda dollarësh.

Po ashtu vihet re se po shtohet numri i sulmeve ndaj telefonave celularë, sidomos ata që përdorin platformën Android. Brenda 14 vitesh janë ndërmarrë rreth 350.000 sulme të ndryshme ndaj sistemit Windows. Kjo shifër është regjistruar tani tek sistemi Android brenda dhjetë muajsh.

A do të zhvillohet lufta e ardhshme në internet?

Digjitalizimi në shtim i botës sjell me vete edhe pyetjen nëse lufta e ardhshme do të zhvillohet në internet. Në botë analoge ekzistojnë kontrollet kufitare klasike, por në internet nuk ka kufij. Një ssfidë tjetër përbëjnë juridiksionet e ndryshme. Çfarë mund të jetë një krim për një vend, nuk konsiderohet si i tillë në çdo vend tjetër.

Për këtë në samitin e Bonit do të diskutohet edhe për mundësinë e produkteve që mund të përdoren për një periudhë afatgjatë në botën digjitale. Po ashtu synohet që për klientët të zhvillohen sisteme anti-virus ose firewall sa më efikase por edhe të thjeshta për t’u përdorur.

(Marre nga radio gjermane “DeutschWelle)

SHKARKO APP