Pandemia ndihmoi teknologjinë

Pandemia Covid-19 ndikoi fort në ekonomi, por solli njëkohësisht edhe një zhvillim dhe nxitje të mëtejshme të përdorimit të teknologjisë nga bizneset për t’iu përshtatur situatës. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë 2020-ës ndërmarrjet që kanë përdorur kompjuter për qëllime punë përfaqësojnë 98.3% të ndërmarrjeve ekonomike, nga 97.5% që ishte në 2019-ën.

Kompjuterët janë përdorur më gjerësisht nga punonjësit e sipërmarrjeve që operojnë në fushën e informacionit dhe komunikacionit në masën 75.5%, teksa më pak përdorim vërehet në aktivitetet e industrisë përpunuese dhe në ndërtim, përkatësisht me vetëm 8% dhe 16.2% të punonjësve.

Situata nxiti ndjeshëm edhe shitjet online të bizneseve, veçanërisht gjatë periudhës 3-mujore të karantinës totale, që i dha në hov të madh zhvillimi kësaj industrie. Sipas Instat vitin e kaluar, 12.8% e tyre realizuan shitje të produkteve apo shërbimeve të tyre online përmes faqeve të internetit apo aplikacioneve të dedikuara, ndjeshëm më shumë se në 2019 kur ky tregues rezultonte në vetëm 5.8%.

Pandemia e Covid-19 evidentoi ndër të tjera edhe fuqinë e madhe të mediave sociale, pasi përdorimi i tyre shënoi rritje të konsiderueshme një vit më parë. Pjesa më e madhe e bizneseve, rreth 89.7% e tyre i përdorën platformat si Facebook, Instagram apo rrjete të tjera për të përmirësuar imazhin e tyre apo për hedhjen e produkteve të reja në treg.

SHKARKO APP