Pemët artificiale, zgjidhja ekologjike për qytetet
Pemët janë një nga gjërat më të mira që ne kemi për të pastruar ajrin në tokë, por ato kanë edhe disa telashe; u duhet kohë dhe hapësirë për t’u rritur. Por, me BioUrban, një pemë artificiale që thith ajër të ndotur sa 368 pemë të vërteta, koha dhe hapësira, kursehen.
Projektuar nga një start-up meksikan, struktura metalike përdor mikroalgat për të pastruar dioksidin e karbonit dhe ndotjet e tjera të ajrit duke i kthyer ambientit oksigjen të pastër. Me përmasa 4.2 metra e gjatë dhe rreth tre metra e gjerë, mjeti duket si diçka e ndërmjetme mes një peme dhe një memoriali modern, me një trung prej metali.
Ajo që bën ky sistem, përmes teknologjisë, është të minimizojë ndotjen e ajrit dhe të shfrytëzojë biologjinë për të bërë procesin natyral të fotosintezës, si një pemë e vërtetë,” shpjegojnë shkencëtarët.
Dhe meksikanët, i dinë disa gjëra për ndotjen e ajrit. Qyteti i Meksikës, një zonë urbane në shpërthim, me më shumë se 20 milionë banorë, në mënyrë kronike përpiqet të evitojë alarmet për ajrin e ndotur që shkaktohet nga emetimet e më shumë se pesë milionë makinave në qytet, industritë e tij ndotëse e madje edhe vullkani i afërt, Popokatepetl. Qëllimi i kompanisë që po projekton këto pemë ekologjike, është që të ndihmohen qytete të tilla për të patur ajër më të pastër në zonat më problematike; ato që përdoren nga këmbësorët, çiklistët, të moshuarit e të tjera, ku mbjellja e numrave të nevojshëm të pemëve, nuk është e mundur.