Pentagoni synon të zgjerojë shitjet e avionit F-35 në tre vende
Një zyrtar i Pentagonit i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të zgjerojnë shitjet e avionëve luftarakë F-35 të prodhuara nga Lockheed Martin Corp, në pesë vende të reja duke përfshirë Rumaninë, Greqinë dhe Poloninë, ndërsa aleatët evropianë po shtojnë mbrojtjen e tyre përballë një Rusie të fuqizuar.
Në dëshminë me shkrim të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve dhe që u pa nga agjencia Reuters, nën-admirali Mathias Winter – kreu i zyrës së Pentagonit për avionët F-35 – tha se “klientët e ardhshëm potencialë të shitjeve ushtarake jashtë përfshijnë Singaporin, Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Poloninë”.
Lajmet për klientët e rinj të mundshëm përkojnë me tensionin e SHBA-së me Turqinë për avionët F-35 lidhur me planet e Ankarasë për të blerë një sistem mbrojtës të raketave ruse.
Shitjet e huaja ushtarake si ato të avionëve F-35 konsiderohen marrëveshje mes qeverive ku Pentagoni vepron si ndërmjetës midis kontraktorit të mbrojtjes dhe një qeverie të huaj.
Vende të tjera që konsiderojnë avionin F-35
Aleatë të tjerë amerikanë kanë shfaqur interes në blerjen e avionit të fshehtë, të padiktueshëm nga radarët, duke përfshirë Finlandën, Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në dëshminë e plotë të nën-admiralit Winter, e cila do të bëhet publike të premten, thuhet se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjeshin të gjitha kërkesave zyrtare për informacion rreth avionit.
Vitin e kaluar, Belgjika ishte klienti i parë i ri për avionin F-35 në vite, duke zgjedhur atë në vend të Tyfunit të kompanisë Eurofighter për të zëvendësuar avionët e vjetëruar F-16 përmes në një marrëveshjeje prej 4 miliardë dollarësh ($ 4.55 miliardë).
Nën Presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë shpalosur planin “Blini produkte Amerikane” që heq kufizimet mbi shitjet dhe inkurajon zyrtarët amerikanë të marrin një rol më të madh në rritjen e biznesit jashtë vendit për industrinë e armëve amerikane.
Në dispozicion tre modele të F-35
Lockheed, kontraktori kryesor i avionit, po zhvillon dhe ndërton tre modele të avionëve të rinj për ushtrinë amerikane dhe 10 vende të tjera që kanë nënshkruar kontrata blerjeje: Britania, Australia, Italia, Turqia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut dhe Belgjika.
Shitjet e armëve të SHBA-së për qeveritë e huaja u rritën 13 për qind duke arritur në 192.3 miliardë dollarë në 30 shtator, tha Departamenti i Shtetit në nëntor.
Lockheed dorëzoi 91 avionë luftarakë F-35 në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre gjatë vitit 2018.