Pse trafiku i rënduar i makinave është një tregues i pabarazive sociale

Kompania me bazë në Hollandë, ‘TomTom NV’, e specializuar për navigimin dhe shërbime të tjera elektronike, ka bërë një studim për rrjetin e trafikut në Gjermani për vitin 2018.

Sipas rezultateve të këtij studimi, rezulton që në qytetet ku qiraja e shtëpisë po shtrenjtohet me rimte të shpejta, trafiku është më i rënduar. Kjo jep një mesazh të fuqishëm për qeveritë vendore të qyteteve të ndryshme: Në vend që të luftojnë makinat, ato duhet të ndërtojnë më shumë banesa dhe të decentralizojnë vendndodhjen e bizneseve.

‘TomTom’ zbuloi se Hamburgu, qyteti i nëntë më i shtrenjtë gjerman për qira-paguesit, është i mbytur në trafik; Berlini dhe Shtutgarti janë në pesë të parat në të dyja nivelet e qirasë dhe trafikut; Mynihu, ku apartamentet janë më të shtrenjtat, është i gjashti qytet me trafikun më të rënduar.

Studimi ka zbuluar se në qytetet më të shtrenjta, qytetarët blejnë apo marrin me qira banesat që janë në periferi, por çdo mëngjes atyre u duhet të shkojnë drejt qëndrës për të punuar, çka detyrimisht rëndon trafikun. Pra problemi më i madh që shkakton trafikun është moslidhja e vendeve të banimit me godinat e punës.

Që nga kryetarët e bashkive e deri tek arkitektët, të gjithë besojnë se ndalimi i makinave lehtëson trafikun dhe ul ndotjen mjedisore. Qytete si Amsterdami për shembull, planifikojnë që të mos lejojnë makina që emetojnë gazra të dëmshëm brenda qytetit tyre nga viti 2030. Por kjo politikë përbën rrezik për shtresat e mesme apo të varfra të cilat janë të detyruara të jetojnë larg në periferi dhe nuk kanë mundësinë për të paguar një makinë elektrike. Kjo jep një mesazh të qartë për ndarjet klasore, sepse i thotë shtresave të varfëra që qendrat e qyteteve nuk janë për ju.

Ka mënyra më pak diskriminuese për të dërguar të njëjtin mesazh. Një mënyrë e tillë do ishte krijimi dhe zhvillimi i mundësive të punësimit pranë qendrave të banimit për shtresat e mesme dhe të ulta. Kjo mënyrë gjithashtu do shkurtonte transportin nga banesa deri në punë, pra do ulte dhe trafikun.

Një qytet mund të zvogëlojë trafikun dhe të bëjë pastrimin e ajrit përmes tri përpjekjeve paralele:  Ndërtimi i sa më shumë banesave të jetë e mundur, pa cenuar bukurinë e infrastrukturës, decentralizimi i punësimit dhe ndërtimi i rrjetit të transportit publik. Këto përpjekje janë relativisht të kushtueshme dhe në disa raste mund të jenë jopopullore. Por ndjekja e tyre në të njëjtën kohë është ndoshta një mënyrë më e drejtë për të zgjidhur problemet e trafikut dhe cilësisë së ajrit sesa kufizimi artificial i lëvizjes së njerëzve të varfër.  SCAN

SHKARKO APP