Risia e Motorola, tashmë telefonin mund ta modeloni ju

Gjenerata e parë e telefonave inteligjentë Moto G (i prezantuar në vitin 2013) vërtetoi se nuk duhet të harxhojmë të gjitha eurot në bankë për të blerë një telefon Android të cilësisë së mirë.

Gjenerata e dytë solli disa veçori edhe më të mira me një çmim të arsyeshëm. Tani presim për gjeneratën e tretë të Moto G, i cili thuhet se do të jetë po aq i mirë sa paraardhësit e tij.

Ajo që do e diferencojë këtë telefon inteligjent nga rivalët e tij është se blerësit mund ta modelojnë pajisjen sipas dëshirës para se ta porosisin tek Motorola. Ata mund të zgjedhin ngjyrën e pajisjes si dhe rripin metalik. Moto G (2015) do të ofrohet në dy versione të RAM-it, me 2GB dhe 1GB.

Sa i përket specifikave, Moto G (2015) thuhet se do të ketë procesorin Qualcomm Snapdragon 410 SoC, 8GB hapësirë të brendshme dhe kartën microSD. Ekrani do të jetë 5 inç me rezolucion 720 pikselë. Ai do të ketë kamerë kryesore 13 megapikselë me blic të dyfishtë LED dhe kamerë ballore 5 megapikselë. Pajisja do të operojë me sistemin Android 5.1.1 Lollipop.

SHKARKO APP