Rregullat e reja online – Vendi ku blogerët do t’i paguajnë qeverisë mbi 900 USD në vit për t’u licencuar
Interneti prej kohësh është cilësuar si një treg për shkëmbimin e lirë të ideve, por jo në Tanzani, ku tashmë licencimi i një blogu do të kushtojë 930 dollarë.
Si pjesë e rregullave të reja online, qeveria do të certifikojë të gjithë blogerët në vend, duke ju vënë një tarifë vjetorë para së të nisin aktivitetin e tyre online. Dispozitat e reja gjithashtu përfshijnë shërbimet online të radios dhe televizionit dhe ndikojnë në forumet online e te përdoruesit e mediave sociale.
Për t’u autorizuar si ofrues i përmbajtjes online, aplikantët duhet të plotësojnë një formular që detajon koston e vlerësuar të investimit, numrin e drejtorëve dhe palëve të interesuara në platformë, pjesën e tyre të kapitalit, kualifikimet e stafit, datat e parashikuara të fillimit të aktivitetit.
Por edhe pas dhënies së këtij dokumenti, autoritetet ende rezervojnë të drejtën për të revokuar një leje nëse një faqe publikon përmbajtje që “shkakton bezdi, shfaq kërcënime, shkakton dëme ose të këqija, inkurajon ose nxit krime” ose rrezikon “sigurinë kombëtare, shëndetin publik dhe sigurinë”.
Rregullat e reja gjithashtu detyrojnë menaxherët të heqin “përmbajtjen e ndaluar” brenda 12 orëve ose të përballen me gjoba jo më pak se pesë milionë shilinga (2210 dollarë) ose një vit burgim.
Rregullorja gjithëpërfshirëse, e quajtur Rregullorja e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Përmbajtja Online) 2018, është vendosur me qëllim ushtrimin e kontrollit mbi internetin.
Sipas ‘Quartz’, kur u propozua për herë të parë vitin e kaluar, vëzhguesit dhe aktivistët argumentuan se disa nga përkufizimet dhe formulimet e ligjit ishin të paqarta, shkelnin privatësinë individuale dhe kufizonin të drejtën e qytetarëve për fjalën e lirë dhe shprehjen. Internet-kafetë gjithashtu pritet të instalojnë kamera survejimi për të regjistruar dhe arkivuar aktivitetet brenda ambienteve të tyre të biznesit.
Tarifa vjetore prej 930 dollarë mund të jetë e tepruar për një bloger të pavarur në një vend ku të ardhurat bruto për banor janë vetëm 900 dollarë.
Miratimi i ligjit është kulmi i goditjes së qeverisë së presidentit John Magufuli mbi mediat dhe përdorimin e mediave sociale në vend. Që nga ardhja në pushtet në vitin 2015, ai ka ndaluar çdo gjë nga eksporti i mineraleve të papërpunuara deri në regjistrimin e anijeve të huaja. Ai gjithashtu ka ndaluar vajzat shtatzëna të ndjekin shkollën. Kur qytetarët e kritikuan atë në platformat e mediave sociale duke përfshirë WhatsApp, ata u akuzuan në gjykatë për fyerje të presidentit.
Por, megjithëse ai premtoi se do të sjellë ndryshime dramatike ekonomike, veçanërisht në dhënien fund të korrupsionit, administrata e tij ka shtrënguar kontrollin e saj në hapësirat mediatike dixhitale dhe tradicionale.
Gazetat janë ndaluar për raportimin e sjelljeve të pahijshme në sektorin e minierave, stacionet e radios u mbyllën për transmetimin e materialeve që nxisnin rebelimin e qytetarëve ndaj tij, si dhe janë mbyllur platforma online si Jamii Forums që synon hetimin e korrupsionit të qeverisë.
/SCAN