Rreziqet që mbart prodhimi i bananeve
Të gjithë janë të vetëdijshëm për vlerat e bananes. Shumë e kanë quajtur këtë frut si magazinë vitaminash dhe asnjëri nga ne nuk e vë në dyshim këtë gjë. Në Shqipëri, bananja u njoh si frut pas viteve ’90, ndërsa tani ky frut mund të blihet kudo. Shumë ka nga ata që pamundësia për të bërë diçka më të mirë i ka detyruar të shesin banane.
Pas shijes të këndshme që kushdo merr nga konsumimi i një bananeje janë me miliona punëtorë që punojnë në prodhimin, magazinimin dhe tregtimin e këtij produkti. Fermerët që punojnë në këto plantacione bëjnë një punë kapitëse dhe përballen me rreziqe të mëdha që sjell përdorimi i pesticideve të ndryshme për shëndetin e tyre. Nuk duhet harruar pa u përmendur se bananja është fruti kryesor që eksportohet i freskët dhe kjo gjë e rrit peshën specifike në volumin e tregtisë ndërkombëtare. Kështu pas një fruti fshihen një rrjet i tërë biznesi që merret me tregtimin dhe sidomos me eksportimin e tij.
Po ma ha mendja që pak veta e dinë që Ekuadori është vendi që mban kryesimin përsa i përket prodhimit dhe eksportimit të bananes. Ky sektor i bujqësisë është khyer në një burim të rëndësishëm punësimi dhe të ardhurash për banorët e zonave rurale në disa vende në zhvillim. – kështu thuhet në një raport të publikuar javën që shkoi nga FAO. Edhe më pak veta e dinë që prej tre vitesh është ngritur një forum botëror i cili promovon sfidat me të cilët përballen të gjithë aktorët e këtij sektori. Para një jave në Gjenevë u mbajt edhe konfererenca e tretë e këtij forumi.
Në fokusin e kësaj konference ishin bashkëpunimi global, tregtia, mundësitë për biznes, si disa çështje teknike që lidhen me sigurinë në punë të fermerëve që merren me prodhimin e bananes. Aty u publikuan edhe disa udhëzime online për kualifikuesit dhe punëtorët në lidhje me rritjen e sigurisë në punë.
Çështjet që trajtoheshin në këtë udhëzues trajtonin magazinimin dhe përdorimin e pesticideve, masat e duhura për mbrojtjen personale, ndihmën e shpejtë në situatat emergjente, informimin për sigurinë në punë dhe gjetjen e mënyrave për ndalimin e dhunës gjinore si dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut.
Konferenca mblodhi mbi 300 përfaqësues nga sektori i bananeve së bashku me aktorë të tjerë, duke përfshirë agjencitë e OKB-së, qeveritë, importuesit, eksportuesit, shitësit, prodhuesit, shoqatat e konsumatorëve, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Sipas FAO -s bananja radhitet e pesta pas drithërave që konsumohen në mëngjes, sheqerit, kafes dhe kakaos në tregtinë e produkteve bujqësore në botë. Çdo përpjekje për të ulur prodhimin e saj do të kishte pasoja shkatërrimtare si për ambientin por edhe për ekonomitë falijare të punëtorëve duke shkelur njëkohësisht edhe të drejtën e tyre për një jetë më të mirë.
Plantacionet e bananeve përdorin 10 herë më shumë pesticide sesa në plantacionet konvencionale që ndodhen në vendet e zhvilluara. FAO bën të ditur se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tyre mund të shkaktojë probleme serioze për shëndetin, këtu flitet jo vetëm për punëtorët por edhe për komunitetet që ndodhen përreth këtyre plantacioneve.
Bota konsumon gati 100 milion ton banana në vit, rreth 20 milion ton eksportohen dhe 6 milion ton banana eksportohen çdo vit nga Ekuadori. Udhëzuesi është rezultat i një konsensusi të pashembullt në mes të sektorit publik e atij privat si dhe shoqërisë civile dhe përfshin të gjithë legjislacionin aktual të zbatueshëm për sektorin në Ekuador. Pritet që ai të jetë e dobishme për rreth 250,000 punëtorë që punojnë drejtpërdrejtë në plantacionet e bananeve dhe rreth 2,5 milionë punëtorë që lidhen me eksportet e bananeve në vend.
Duke qenë se prodhimi i bananeve kryhet në mënyrë të ngjashme në të gjithë botën – nga Amerika Latine në Azi dhe Paqësor – iniciativa mund të përshtatet dhe të përsëritet në vendet e tjera që prodhojnë banane në mbarë botën, duke përfshirë edhe legjislacionin e tyre.
Gëzim Hoxha