Rrjetet sociale, Meta pranon se ka dëmtuar fëmijët dhe paguan 18 miliardë $ dëmshpërblim
Meta ka rënë dakord të paguajë rreth 18 miliardë dollarë për të zgjidhur një proces gjyqësor të ngritur nga 29 shtete amerikane. Kompania akuzohej se kishte krijuar qëllimisht funksione që i mbanin fëmijët dhe adoleshentët të lidhur me Facebook dhe Instagram, duke ndikuar negativisht në shëndetin e tyre mendor.
Rreth 17 miliardë dollarë do t’u shkojnë shteteve paditëse dhe do të përdoren për programe që synojnë rritjen e sigurisë së të rinjve në internet.
Marrëveshja parashikon edhe ndryshime të rëndësishme për përdoruesit 13–17 vjeç. Ata do të kenë një kufizim prej dy orësh përdorim në ditë, njoftime pas çdo 15 minutash përdorimi të vazhdueshëm, si dhe “modalitet nate” nga mesnata deri në orën 06:00. Do të ketë gjithashtu një “modalitet shkolle” për reduktimin e njoftimeve gjatë mësimit.
Adoleshentët do të kenë më shumë kontroll mbi përmbajtjen, duke përfshirë mundësinë për të shmangur rekomandimet algoritmike, fshehjen e numrit të pëlqimeve dhe çaktivizimin e luajtjes automatike të videove.
Meta nuk ka pranuar përgjegjësi për shkelje dhe ka deklaruar se ka investuar në masat e sigurisë për të rinjtë. Megjithatë, kompania përballet ende me qindra padi të tjera nga familje dhe institucione arsimore në SHBA.
KOHA JONË SONDAZH

