S10 vjen me 4 kamera, 1TB memorie dhe rrjetin 5G
Modelet e reja të “Samsung Galaxy” janë prezantuar sot në 4 versione S10, duke festuar edhe 10 vjetorin e këtij modeli.
Për herë të parë vjen S10E, një version i lirë i modelit të fundit i cili kushton 750$, versioni normal Galaxy S10 (900$), S10 Plus (1,000$) dhe Galaxy S10 5G ( modeli i parë i Samsung që suporton rrjetin e ri 5G), çmimi i të cilit nuk dihet akoma.
Në versionin e ri, Samsung prezanton hapjen e telefonit përmes fytyrës me kamerën 3D dhe identifikimin përmes gjurmëve të gishtit në të gjithë ekranin. S10 ka tre kamera, e para 16 megapiksel me fokus të fiksuar, kamera qëndrore 12 megapiksel me kënd të gjerë dhe një tjetër kamera 12 megapiksel që mundëson 2x zmadhim optik përmes lentes “telephoto”.
Për fotot selfie keni një kamera 10 megapiksel me hapje të dyfishtë, që ndryshon në varësi të dritës së ambientit ku ndodheni. S10 vjen në dy versione, 128GB ose 512GB me 8GB RAM, pranon microSD deri në 512GB. Kapaciteti i baterisë 3,400 mAh, fast wireless charging 2.0 dhe Wi-Fi 6.
Ngjyra për të gjithë, sepse modelet e reja janë në më shumë se 6 versione, rozë-flamingo, e verdhë-kanarinë, blu, gri dhe dy versione të ngjyrës së zezë dhe të bardhë. Përveç ngjyrave mund të zgjidhni edhe mes xhamit dhe qeramikës për pjesën e pasme të telefonit tuaj të ri.
“Wireless PowerShare” është një tjetër risi që ju mundëson ta përdorni telefonin si një karikues wireless për telefonat e tjerë. Nëse doni më shumë nga një telefon, zgjidhni S10 Plus për 100$ më shumë do të keni një ekran më të madh, një kamera të dytë për selfie më të mira dhe kapacitet prej 1TB, që kurrë mos të shqetësoheni për të fshirë materiale nga telefoni.