Serbia vijon bashkëpunimin me Huawei

Partneriteti i kompanive serbe me Huawei nuk do të ndikohet nga kufizimet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur gjigantit kinez të teknologjisë, deklaroi së fundmi Tatjana Matic, Sekretare e Shtetit e Ministrisë serbe të Turizmit, Tregtisë dhe Telekomunikacionit.

Sipas saj, Huawei ka bashkëpunuar ngushtësisht me kompanitë kryesore të telekomunikacionit në serbi, si Telenor Serbia apo Telekom Srbija, dhe se ky bashkëpunim nuk do të minohet nga vendimi më i fundit i Shtëpisë së Bardhë për të kufizuar shitjet dhe transferimin e teknologjive amerikane te Huawei. Tashmë edhe Google ka ndërprerë bashkëpunim me Huawei çka do të thotë se gjiganti nuk do të ketë më asistencë sa i përket sistemit numër një të operimit të telefonave celularë, Android.

“Bashkëpunimi jonë në sektorë të ndryshëm është brenda kornizës së iniciativës “një rrip një rrugë”Huawei është një partner i besueshëm për ne”-nënvizoi Tatjana. Ndër të tjera ajo siguroi klientët se nuk do të ndikohen nga ngjarjet e fundit. Ndër të tjera ajo tha gjithashtu se, kompanitë kineze po njohin sukses dhe shtrirje në shumë fusha, dhe se disa vendeve kjo nuk ju pëlqen.

Kujtojmë se Serbia është partneri numër një i Kinës në Ballkan, duke shërbyer si një trampolinë e Pekinit drejt Europës. Për këtë, edhe kjo e fundit ka shprehur vazhdimisht shqetësime. Serbia ndërkohë po e shfrytëzon interesin e Kinës për të depërtuar në Europë duke thithur një sërë investimesh, sidomos në infrastrukturë, jo vetëm rrugore, por edhe hekurudhore, apo komunikacion.

SHKARKO APP