Shqipëria probleme me specialistët e sigurisë kibernetike
Në Shqipëri ndihet mungesa e specialistëve të sigurisë kibernetike sipas një studimi të kryer nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. “Ekspertë të mirëfilltë sigurie nuk ka, por ka ekspertë IT të cilët me një trajnim kanë kaluar në ekspertë sigurie. Pra e ndjejmë si domosdoshmëri ngritjen e kapaciteteve të këtij grupi ekspertësh”, thotë Vilma Tomçe. Thellimi i njohurive të pakta që njerëzit kanë në këtë fushë, që me zhvillimin e teknologjisë kthehet në domosdoshmëri, kanë qenë fokusi I sesionit të tretë të Albania CYBER ACADAMY. “Teknologjia është bërë pjesë shumë e rëndësishme në jetët tona dhe sigurisht kjo vjen dhe me risqe të mëdha nga mbrapa. Thjesht salla që është plot tregon sa të interesuar janë njerëzit në këtë fushë”, thotë Lorin Baxhaku.
Trajnimet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po orientojnë mbi tregun e punës dhe studentët. Samela ka përfunduar studimet Bachelor për Inxhinieri Informatike dhe tashmë ndjek masterin mbi Sigurinë e Informacionit si një nga degët më të kërkuara për momentin.
“Siguria kibernetike është si fushë dhe degë studimi relativisht e re në Shqipëri. Ky është dhe fokusi im që të jem një punonjëse e sigurisë kibernetike dhe të kontriboj në një kompani për mbrojtjen e të gjitha të dhënave dhe përmirësimin e sistemeve në aspektin e sigurisë. Sic ka evoluar teknologjia kanë evoluar dhe hakerat, vjedhësit e informacionit atëherë ka lindur dhe nevoja e sigurisë kibernetike”, thotë studentja Samela Bajraktari. Sulmet kibernetike në Shqipëri nuk janë ende të shpeshta, megjithatë ato nuk mungojnë. Ndaj informimi mbi këtë fushë ka rëndësi.