Shqiptarja që fitoi bursë nga “Google”
Juli Loloçi -Lajmi sensacional i këtij fillimviti sigurisht do mendohet ai që Kim Kardashian foli shqip në rrjetin social ‘Instagram’, falë grimierit të saj shqiptar Mario Dedivanoviç, por unë do të fokusohesha në një ngjarje tjetër që ka të bëjë me vlerat e vërteta të shqiptarëve në botë.
Sigurisht që talentet shqiptare në art marrin një vëmendje më të madhe në media për shkak të interesit publik, po pse jo mos të ketë edhe kjo vajzë shqiptare që ka shënuar një arritje shumë të madhe, edhe pse në një fushë jo me shumë interes për masën e gjerë të popullsisë?!
Quhet Erisa Terolli dhe ka fituar një bursë nga superkompania e njohur në të gjithë botën, “Google”. Historia e Erisës në fushën e Informatikës ka pasur luhatjet e saj dhe ajo vazhdimisht gjendej në dilemën nëse do të vazhdonte studimet universitare në fakultetin ekonomik apo në informatikë.
Pavarësisht se kishte pasur rezultate shumë të larta në Matematikë e Fizikë dhe rrjedhimisht mendohet që Ekonomiku do të ishte zgjedhja e duhur, ajo i vendosi një sfidë vetes duke zgjedhur Informatikën. Në fillimet e programimit pati disa vështirësi duke qenë se nuk kishte aspak njohuri në këtë fushë dhe kështu vendosi t’i futej me përkushtim gjithçka nga librat dhe botimet e tjera.
Dhe kështu ishte ecuria e Erisës në vazhdimësi të universitetit, me shumë vullnet dhe shumë punë. Shumë shpejt ajo ra në sy të profesorëve, falë talentit dhe vullnetit të madh që kishte dhe, mbasi mbaroi studimet universitare me nota maksimale, ajo dëshironte t’i thellonte edhe më shumë njohuritë duke aplikuar për doktoraturë.
Si fillim zgjedhja e parë e saj (e sugjeruar nga profesori shumë i talentuar Ilir Çapuni), ishte Universiteti i Helsinkit, i cili e refuzoi aplikimin e saj. Erisa nuk u demoralizua dhe aplikoi gjithashtu në Universitetin e Turqisë e më pas në “La Sapienza” të Romës, Itali.
Aplikimi iu pranuar nga ky i fundit dhe këtu nisi edhe suksesi i Erisës që të shkëlqente dhe të arrinte deri në “Google”. Nuk është një mit, është një realitet i prekshëm që kërkonte shumë punë, por mbi të gjitha kërkonte vullnet dhe dëshirën e madhe për të arritur diçka në jetë.
Erisa së fundmi organizoi një seminar për ecuritë e saj dhe ta përcillte me studentët e tjera femra të degës së Informatikës dhe të ndante të gjithë informacionin që kishte marr këto kohë, në mënyrë që të nxiste pjesëmarrjen e tyre në kompanit e mëdha si “Google”, “Facebook”, “Amazon”, etj.
Mesazhi që ajo përcolli në këtë event ishte se mundësitë janë të mëdha në jetë për të zgjeruar dituritë dhe për t’i konkretizuar më pas ato në punë, mjafton që gjatë rrugëtimit femrat të mos demoralizohen dhe të mos mendojnë se ato dinë më pak se meshkujt dhe se mundësitë janë më të pakta për to.
Ky event i organizuar nga “Google” dhe i sponsorizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Universiteti “Epoka”, provoi të kundërtën.
Në event ishin të ftuar Ministria e Inovacionit Milena Harito, e cila mbajti gjithashtu një fjalim për të inkurajuar studentët shiptare që të ardhmen e kanë në dorë e vet dhe të ndjekin shembuj si Erisa që nuk u dorëzua asnjëherë.
U zhvillua gjithashtu një video-konferencë me një përfaqësuese të “Google”, e cila tregoi rrugëtimin e saj në superkompanine botërore; ajo gjithashtu inkurajoi me fjalimin e saj që të gjitha vajzat janë të ftuara të aplikojnë dhe të mos kenë frikë, pasi gjithçka është e mundur.