Skandali i Facebookut dhe Cambridge Analytica
Kush është fajtori? Politikanët në Britaninë e Madhe duan shpjegime për keqpërdorimin e mundshëm të të dhënave private në mediat sociale nga firma Cambridge Analytica.
Nga Barbara Wesel
Cambridge Analytica e pushoi nga puna kreun ekzekutiv të firmës Alexander Nix. Para
kamerave të stacionit Channel 4 ai kishte përfolur katastrofën e firmës Cambridge Analytica. Fitoren zgjedhore të Donald Trump ai e kishte përvetësuar si sukses të fushatës së tij në mediat sociale, kishte pranuar se Cambridge Analytica është aktive edhe sferat e errëta me presion dhe shpifje, dhe se ajo ka mundësi në të gjithë botën të përgatisë mesazhe të prera sipas botëkuptimeve të përdoruesve.
Alexander Nix paraqitet si fajtori kryesor
Ndërkohë edhe një i punësuar tjetër deklaroi se fushata “Crooked Hillary” e kampit të Trumpit është komanduar nga Cambridge Analytica. “Të dhënat tona kanë çimentuar fushatën e tyre (të Trumpit).” Bazë e kësaj fushate ishin të dhëna nga mbi 5 milionë përdorues të Facebookut, të cilët u vlerësuan psikologjikisht dhe u motivuan e mobilizuan.
Cambridge Analytica u distancua të mërkurën nga ish-kreu ekzekutiv. “Deklaratat e tij nuk përputhen me vlerat apo mënyrën e veprimit të firmës”, thuhet dhe se pushimi i tij reflekton shkeljet e rënda të bëra. Po pretendon tani Cambridge Analytica se Alexander Nix e ka furnizuar me të dhëna i vetëm fushatën e Trumpit pa dijeninë dhe bashkëpunimin e menaxherëve të tjerë? CA pretendon po ashtu se të gjitha aktivitetet e saj janë legale. Gishti drejtohet tani kundër Alexander Kogan në fakultetin e psikologjisë së Universitetit të Cambridge.
Kogan nuk do të shpallet fajtor
E qartë është se analisti i të dhënave, Alexander Kogan ia ka ofruar të dhënat e rreth 5 milionë përdoruesve të Facebookut firmës Cambridge Analytica. Ai i kishte marrë ato për qëllime shkencore nga Facebook. Përmes vlerësimit të preferencave dhe informacioneve të tjera personale, ekspertët mund të zhvillojnë profile mjaft të sakta të përdoruesve, të cilat përdoren për qëllime publiciteti, ose si në këtë rast për ndikimin politik të votuesve.
Kogan mbrohet. Ai thotë se Cambridge Analytica i ka garantuar atij legalitetin e plotë absolut të aktiviteteve si firmë. Nuk kam qenë në dijeni, se me të dhënat bëhet diçka e jashtëligjshme, thotë eksperti.
Akuza të rënda kundër firmës mëmë të Cambridge Analytica
Ndërkohë gazeta “The Times” ngre akuza të rënda edhe ndaj firmës mëmë të Cambridge Analytica, SCL, Grupit Strategic Communication Laboratories. Kjo firmë punëson ekspertë, hakera, programues që punojnë në të gjithë botën për ndikim në zgjedhje apo manipulim të tensioneve politike. Kjo firmë ka një sfond ushtarak dhe me gjasë duket të ketë qenë aktive në Kenia, Karaibe, Libi, Pakistan dhe Indi. Të dyja firmat, SCL dhe Cambridge Analytica kanë qenë të angazhuara edhe nga qeveria britanike. Madje është ngritur edhe dyshimi, se ato kanë luajtur rol në fushatën për Brexit.
Mbrojtja e të dhënave e vonuar
E ngarkuara për mbrojtjen e të dhënave në Britaninë e Madhe, Elisabeth Derham ka pranuar në ditët e fundit, se ka muaj që është në gjurmë të një firme analitike, ku dyshohet për keqërdorim e shkelje ligjore. Por vetëm përmes një “whistlebloweri” dhe punës sqaruese të mediave, gazetës “The Guardian” e kanalit Channel 4 u bë publik skandali.
Nga e hëna Denham kërkon lejen për kontrollin e hapësirave të Cambridge Analytica. Por kritikët thonë se Denham nuk ka shumë mundësi ndikimi. Ndërkohë komisioni i parlamentit britanik për Çështjet Digjitale dhe Median ftoi të martën themeluesin e Facebookut, Mark Zuckerberg. Ai duhet të prononcohet deri në mesin e kësaj jave dhe të ofrojë një orar bisedimi.
Opinionistët britanikë bëjnë thirrje për rregullim të mediave sociale dhe mbrojtje më të mirë të përdoruesve privatë. Prof. Ian Robertson, specialist në Universitetin e Warwick paralajmëron se është plotësisht e mundur që firmat analitike përmes vlerësimit të të dhënave private, ritualeve të blerjeve, likes etj të formojnë një profil të personalitetit të përdoruesve.
Përveç kësaj të dhënat tregtohen ilegalisht në të ashtuquajturin “darknet”. Robertson shikon çështje etike të pazgjidhura, nëse këto të dhëna përdoren për ndikimin e zgjedhjeve.
Keqpërdoren të dhënat personale për të shpërndarë përmbajtje raciste, seksiste apo ilegale? Sidoqoftë skandali i Cambridge Analytica nxjerr në dritë mënyrën e përdorimit të të dhënave të mediave sociale, për të cilën miliona përdorues nuk kishin dijeni.(DW)