Snowden: Facebook, një “kompani mbikëqyrjeje” që merr dhe shet të dhënat e përdoruesve

Ish-punonjësi i NSA-së, Edward Snowden, thotë se “Facebook”-u është një kompani mbikëqyrëse që shet të dhënat personale të përdoruesve të saj. Postimi i tij i fundit e rëndon skandalin në të cilin është përfshirë një firmë private që ka mbledhur të dhënat e përdoruesve nga gjiganti i rrjetit social.

“Bizneset që bëjnë para duke mbledhur dhe shitur të dhëna për jetën private të njerëzve dikur quheshin kompani të mbikëqyrjes. Emri i tyre i ri si media sociale është zhgënjimi më i madh qëkur Departamenti i Luftës u riemërtua Departamenti i Mbrojtjes”, shkroi ish-punonjësi i NSA-së.

Statusi i Snowden-it, i cili është shpërndarë mbi 300 mijë herë, vjen në kulmin e debatit që pasoi zbulimin se, Cambridge Analytica, një kompani private e analizimit të të dhënave që punoi me Donald Trump gjatë fushatës, ka mbledhur informacion personal për më shumë se 50 milionë përdorues të Facebook-ut pa dijeninë e tyre.

Snowden thotë se është Facebook-u dhe jo kompania e të dhënave ai që ka përgjegjësinë për këtë fakt.

“Facebook bën para duke eksploruar dhe shitur detaje intime të privatësisë së jetës së miliona njerëzve, shumë më tepër se detajet që ju vetë vendosni të postoni. Ata nuk janë viktima. Ata janë bashkëpunëtorë”, ka shkruar ai në Tuiter.

“Cambridge Analytica” është në pronësi të miliarderit Robert Mercer dhe është drejtuar për një farë kohe nga ish-këshilltari i Trump-it, Steve Banon. Mediat amerikane kanë raportuar se fushata e Trump është ndihmuar nga kjo kompani për të targetuar votues të mundshëm kundrejt një pagese prej 5 milionë dollarë. Tema

SHKARKO APP