Stafi i Twitterit mund të punojë përgjithmonë nga shtëpia
Punonjësit e Twitterit mund të punojnë përgjithmonë nga shtëpia.
Gjiganti i teknologjisë, deklaroi se 5,000 punëtorët e tij kanë punuar nga distanca prej fillimit të marsit, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit. Sipas kompanisë, puna ka funksionuar aq mirë, sa Tëitter është i gatshëm t’i lejojë ata të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë përgjithmonë.
“Muajt e fundit kanë dëshmuar se mund ta bëjmë këtë”, tha shefi ekzekutiv i rrjetit social Tëitter, Jack Dorsey.
“Nëse punonjësit tanë janë në një rol dhe situatë që u lejon atyre të punojnë nga shtëpia dhe ata duan të vazhdojnë ta bëjnë këtë përgjithmonë, ne do t’ua mundësojmë”, tha Dorsey në një email dërguar punëtorëve.
Për ata që nuk mund të punojnë përgjithmonë nga shtëpia, Twitter tha se ka gjasa që t’i hapë zyrat nga fundi i vitit, por jo përpara shtatorit.
Twitter ka 35 zyra në gjithë botën, përfshirë ato në Nju Delhi, Londër dhe Singapor. Kompani të ngjashme, si Facebook dhe Google, po ashtu u kanë thënë punonjësëve të tyre se mund të punojnë nga distanca gjatë pjesës së mbetur të vitit.