Star Wars në jetën reale. A do kemi një luftë, mijëra kilometra mbi Tokë?

Kina, Rusia dhe SHBA po konkurrojnë për avantazh ushtarak në orbitë. Agjencitë amerikane të spiunazhit paralajmëruan në shkurt se Kina dhe Rusia po zhvillojnë raketa balistike, si dhe armë të tjerë, që mund të përdoren për të goditur satelitë amerikanë “në vitet e ardhshme”. Të dy vendet kanë testuar tashmë me sukses teknologji të luftës hapësinore. Në vitin 2007, Kina përdori një raketë për të rrëzuar një prej satelitëve të vet të vjetëruar, i cili vinte në orbitë 537 milje mbi Planetin Tokë. Rusia kreu me sukses një testim fluturimi për një raketë antisatelitore në vitin 2015. SHBA i ka zotëruar këto kapacitete prej kohësh. Në vitin 1985, një avion luftarak amerikan lëshoi me sukses një raketë drejt një sateliti shkencor amerikan. “Hapësira nuk është më një vend paqësor”, thotë Deborah Lee James, sekretare e Forcës Ajrore në kohën e presidentit Obama. “Ekziston një mundësi reale që një konflikt këtu në Tokë, të shtrihet më tej edhe në hapësirë”.

Pse mund të ndodhë?
Hapësira është jetike strategjikisht. Rreth 1700 satelitë aktivë aktualisht ndodhen në orbitë përreth Tokës – pothuaj gjysma janë dërguar nga SHBA – dhe ata janë kritikë për ekonominë dhe veprimtarinë e përditshme të jetës moderne. 33 satelitët e GPS të Forcës Ajrore Amerikane ofrojnë sinjale kohore që përdoren nga tregtarët e bursës dhe rrjetet celulare, si dhe aplikacione navigimi si Google Maps apo Uber. Parashikimet e motit, videokonferencat, autorizimet në çast të kartave të kreditit, lidhjet mes bankave dhe televizionet kabllore, të gjithë varen prej këtyre satelitëve. Ushtria e SHBA mbështetet fort tek satelitët e komunikimit dhe mbikëqyrjes, për pothuaj gjithë aktivitetet e saj, që nga monitorimi i armëve të Koresë së Veriut, deri tek koordinimi i trupave në terren. Satelitët vijnë vazhdimisht vërdallë Tokës për të pikasur sulme kundër SHBA, duke kërkuar për sinjale lëshimi raketash. “Hapësira është themelore për mënyrën tonë të të bërit luftë”, thotë Gjenerali John Raymond, komandant i Komandës Hapësinore të Forcës Ajrore. “Dhe është themelore për mënyrën tonë të jetesës”.

Si do të ngjante një luftë hapësinore?
Mund të merrte forma të ndryshme. Programuesit mund të futeshin si hackera në satelitë, për t’i shpërbërë apo komanduar. Lazera në tokë mund të përdoren për të çorientuar apo verbuar sensorët e satelitëve, duke i bërë të pavlerë. Në një sulm më agresiv, shtetet mund të përdorin forcën për të eleminuar satelitët e rivalëve, me raketa balistike ose duke përdorur satelitë sulmi kamikazë, që të përplasen me shënjestrat. Rusët lëshuan një satelit në vitin 2014, që dukej se ishte në gjendje për manovra sulmi, gjë që alarmoi shërbimin amerikan të zbulimit.

Si po reagon SHBA?
Ushtria po ndërmerr hapa për të forcuar satelitët e vet përballë sulmeve. Ajo ka në plan të lëshojë satelitë që të shërbejnë si rezervë në rast se shkatërrohen sisteme kritike, si dhe të zhvillojë satelitë më të vegjël që do të jetë më e vështirë të shënjestrohen, si edhe satelitë mbrojtës, në gjendje që të dallojnë apo pengojnë rreziqet. Sigurisht, shumë prej detajeve janë të klasifikuara. Në mars, presidenti Trump bëri thirrje për krijimin e një dege të re të ushtrisë, që do i dedikohet luftës hapësinore. “Hapësira është një vend ku luftohet, ashtu si toka, ajri dhe deti”, tha Trump. “Ne kemi Forcën Ajrore, do të kemi edhe Forcën Hapësinore”.

A e ka seriozisht Trump?
E vështirë të thuash, por ai nuk është i pari që e sugjeron. Ish Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, bëri thirrje për krijimin e trupave hapësinore në 2001, por ideja u la mënjanë pas sulmeve të 11 shtatorit, të cilët e zhvendosën fokusin e ushtrisë, në luftën ndaj terrorizmit në tokë. Në këto momente, Komanda Hapësinore e Forcës Ajrore të SHBA është përgjegjëse për afro 90 përqind të operacioneve ushtarake amerikane në hapësirë, duke angazhuar 36000 njerëz në të gjithë botën. Por ata që mbështesin forcën hapësinore argumentojnë se nuk i është dhënë prioritet. Një forcë hapësinore njësoj si ajo tokësore do të legjitimonte hapësirën si një fushëbetejë jetike, ashtu sikurse krijimi i Forcës Ajrore të SHBA në 1947 ishte një pranim i rëndësisë së fuqisë ajrore. Por Pentagoni i kundërvihet idesë së krijimit të një tjetër burokracie.

A do të shpërthejë lufta?
Rregullat e luftës hapësinore janë kryesisht të pashkruara. Marëveshja e Hapësirës e 1967 i ndalon shtetet që të vendosin armë të shkatërrimit në masë në hapësirë, por nuk ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse për lloje të tjera armësh, apo për të mbrojtur satelitët. Në 2008, SHBA refuzoi një marrëveshje të dorëzuar në OKB nga Rusia dhe Kina, që do të ndalonte armët në hapësirë.

Kur BE parashtroi një propozim të ngjashëm në 2014, ai u mbështet nga SHBA, por Kina dhe Rusia e refuzuan. Pasojat e një lufte totale në hapësirë do të ishin tragjike. Në një skenar, rrënojat e anijeve kozmike të shkatërruara mund të shkaktonin një reaksion zinxhir, që do të fshinte gjithë satelitët në orbitë, duke e mbushur Tokën me mbetje hapësinore, dhe duke e bërë hapësirën të papërdorshme për breza të tërë. “Sfidat e një lifte në hapësirë nuk janë të kuptuara tërësisht”, thotë Todd Harrison, drejtor i Projektit të Sigurisë së hapësirës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Nuk kemi histori ku të mbështetemi”./ The Week – Bota.al

SHKARKO APP